Qeveria merr vendim për zgjidhjen përfundimtare të parkimit në Kampusin Klinik “Nënë Tereza” - Gazeta Express
string(90) "qeveria-merr-vendim-per-zgjidhjen-perfundimtare-te-parkimit-ne-kampusin-klinik-nene-tereza"

Maqedoni

Gazeta Express

11/02/2026 12:38

Qeveria merr vendim për zgjidhjen përfundimtare të parkimit në Kampusin Klinik “Nënë Tereza”

Maqedoni

Gazeta Express

11/02/2026 12:38

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në mbledhjen e saj të fundit, mori vendim për zgjidhjen përfundimtare të çështjes së parkimit në Kampusin Klinik “Nënë Tereza” në Shkup, duke mbyllur çështjet administrative që për dekada kanë penguar rregullimin e kësaj problematike.

“Me këtë vendim po vendosim një zgjidhje të qëndrueshme dhe afatgjatë për një problem që ka prekur çdo ditë pacientët, familjarët dhe stafin mjekësor. Po mbyllim pengesat administrative dhe po hapim rrugën për realizimin e një projekti konkret dhe funksional”, deklaroi zëdhënësja e Qeverisë, Venera Azizi.

Me vendimin e miratuar krijohet baza ligjore për nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qytetit të Shkupit.
“Ministria e Shëndetësisë, brenda tre muajve, ka përfunduar regjistrimin e parcelave në Kadastër dhe përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm. Kjo do të thotë se tani kemi kushte të pastra ligjore për të filluar ndërtimin e një parkingu modern, përfshirë edhe garazhe me kate dhe sistem të menaxhimit digjital”, theksoi Azizi.

Projekti parasheh riorganizimin e plotë të hapësirave të parkimit dhe vendosjen e një zgjidhjeje softuerike për menaxhim efikas, me qëllim lehtësimin e qarkullimit dhe reduktimin e kaosit në kampus.
“Pacientët që vijnë për trajtim nuk duhet të përballen me stres shtesë për shkak të mungesës së parkimit. Ky projekt është investim në dinjitetin e pacientëve dhe në kushte më të mira pune për profesionistët shëndetësorë”, shtoi ajo.

Qeveria mbetet e përkushtuar për modernizimin e infrastrukturës shëndetësore dhe për ofrimin e shërbimeve më cilësore për qytetarët.

Advertisement
Advertisement
Advertisement