BDI: Kërkojmë përgjegjësi penale për ministrin Filkov për mosorganizimin e provimit të jurisprudencës në shqip - Gazeta Express
string(109) "bdi-kerkojme-pergjegjesi-penale-per-ministrin-filkov-per-mosorganizimin-e-provimit-te-jurisprudences-ne-shqip"

Maqedoni

Gazeta Express

11/02/2026 12:36

BDI: Kërkojmë përgjegjësi penale për ministrin Filkov për mosorganizimin e provimit të jurisprudencës në shqip

Maqedoni

Gazeta Express

11/02/2026 12:36

Bashkimi Demokratik për Integrim kërkon përgjegjësi për mosorganizimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke e cilësuar situatën si shkelje me elemente të përgjegjësisë penale. Sipas BDI-së, pengimi i zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve përbën keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe moskryerje të detyrës. Partia vlerëson se mohimi i kësaj të drejte krijon klimë përjashtuese dhe dëmton barazinë. BDI i bën thirrje Inspektoratit dhe Prokurorisë të veprojnë, si dhe kërkon përgjegjësi penale për ministrin e Drejtësisë.

“Refuzimi për organizimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe nuk është më vetëm shkelje administrative. Në këtë fazë, kemi elemente të përgjegjësisë penale.  Pengimi i zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve nga ana e Ministrisë së Drejtësisë dhe personave përgjegjës përbën bazë për përgjegjësi penale për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar, sipas Kodit Penal, kur një zyrtar publik, me vetëdije, nuk zbaton ligjin dhe u mohon qytetarëve një të drejtë të garantuar. Gjithashtu, mosveprimi i qëllimshëm për zbatimin e ligjit dhe krijimi i praktikës përjashtuese ndaj gjuhës shqipe përmban elemente të moskryerjes së detyrës zyrtare, kur një organ shtetëror refuzon të veprojë edhe pse ka detyrim ligjor të qartë”, thonë nga BDI.

Sipas kësaj partie, mohimi i së drejtës për përdorimin e gjuhës shqipe në një procedurë shtetërore, si provimi i jurisprudencës, dhe relativizimi publik i kësaj të drejte, krijon klimë përjashtuese dhe përmban elemente të nxitjes së mosdurimit ndëretnik, që është e sanksionuar si vepër penale.

“Prandaj, sot, kërkesat tona janë të qarta:  Kërkojmë nga Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve që menjëherë të konstatojë shkeljet dhe të iniciojë procedura për kundërvajtje ndaj Ministrisë së Drejtësisë dhe personave përgjegjës. Kërkojmë nga Prokuroria Publike që të vlerësojë ekzistencën e elementeve për ndjekje penale për keqpërdorim të pozitës zyrtare, moskryerje të detyrës zyrtare dhe nxitje të mosdurimit ndëretnik. Kërkojmë përgjegjësi personale nga Ministri i Drejtësisë për çdo vendim ose mosveprim që pengon zbatimin e ligjit. Ligji është i qartë. Zbatimi i tij nuk është opsion. Pengimi i tij ka pasoja juridike”, thonë nga kjo parti.

BDI-ja, që sot shpreh mbështetje të plotë për studentët shqiptarë që kërkojnë të drejtën për të dhënë provimin e jurisprudencës edhe në gjuhën shqipe, gjatë periudhës së saj në qeverisje nuk ka bërë asnjë hap konkret për ta zgjidhur këtë problem. Portalb.mk ka pritur gjatë përgjigje nga BDI-ja se pse nuk u gjet zgjidhje gjatë 20 viteve të saj në pushtet, por deri në këtë moment, heshtje, përveç kumtesave për mediat ku ka vetëm akuza. Kjo situatë tregon një kontrast të madh të kësaj partie. Ajo sot pozicionohet si avokate e barazisë gjuhësore, ndërkohë që kur kishte mundësinë reale ligjore dhe institucionale për ta adresuar këtë çështje, nuk veproi.

Ndryshe, ekspertët dhe shoqëria civile vlerësojnë se provimi në shqip nuk përbën rrezik dhe duhet të reflektojë realitetin demografik.

Propozim-ligj i cili do të mundësonte dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe ishte gati në vitin 2024 nga Ministria e Drejtësisë, por me ndryshimin e përbërjes parlamentare dhe qeverisë së re, e njëjta u hoq nga agjenda e kuvendit dhe s’u përmend fare nga qeveria aktuale.

Në Ligjin për Provimin e Jurisprudencës nuk ekziston dispozitë ligjore në të cilin thuhet se ky provim mund të mbahet vetëm në gjuhë maqedonase.

Ndërkaq, neni 2 i Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve thotë se “institucionet e qeverisjes shtetërore duhet të mundësojnë përdorim të gjuhëve tjera zyrtare të cilat fliten nga më së paku 20% e qytetarëve”, që është gjuha shqipe.

Neni 2 dhe neni 5 i këtij ligji thotë se “institucionet janë të obliguara të mundësojnë përdorim të gjuhës shqipe në të gjitha procedurat para gjykatave dhe organeve tjera shtetërore”. Kjo do të thotë se në qoftë se ligji për provimin e jurisprudencës nuk e kufizon dhënien e këtij provimi vetëm në gjuhën maqedone, duhet të mundësohet edhe në gjuhën shqipe.

Ligji për Zbatimin e Gjuhëve ka hyrë në fuqi në vitin 2019, nga atëherë janë ndërruar katër ministra të drejtësisë, edhe atë Bojan Mariçiq, Nikolla Tupançevski, Krenar Lloga dhe aktualisht është Igor Filkov. Në vitet paraprake edhe kur s’ka pasur ministër shqiptar, zëvendësi ka qenë i përkatësisë shqiptare.

Advertisement
Advertisement
Advertisement