Gjykata Themelore në Prishtinë, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj Besnik Salihut duke e dënuar me dënim unik prej 25 vjet burgim për rastin e vrasjes së S.S. Kurse, vëllai i tij, Ilaz Salihu u lirua nga akuza.
Aktakuza ngarkon Besnik Salihun për vrasjen e S.S., në mars të 2023-ës në Dumnicë të Podujevës dhe për armëmbajtje pa leje, ndërsa Ilaz Salihun për ndihmë në kryerjen e vrasjes, raporton “Betimi për Drejësi”.
Aktgjykimi u shpall të mërkurën nga kryetari i trupit gjykues, Alban Ajvazi dhe anëtarët Gent Beka e Gazmend Bahtiri.
Sipas vendimit, Besnik Salihu u dënua me 24 vjet burgim për “Vrasje” vepër kjo që u rikualifikua nga “Vrasje e rëndë”, dhe 1 vit e 6 muaj për “Armëmbajtje pa leje”. Ndaj tij, Gjykata shpalli dënim unik prej 25 vjet burgim.
Të njëjtit i vazhdohet masa e paraburgimit.
I akuzuari Besnik Salihu obligohet edhe për shpenzimet e procedurës gjyqësore në shumën prej 100 euro dhe 50 euro të tjera për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.
Ndërkaq, Ilaz Salihu u lirua nga akuza, pasi nuk është provuar se ka kryer veprn penale.
Shpenzimet e procedurës për këtë të akuzuar, bien në barrë të gjykatës.
Të dëmtuarit u udhëzuan në kontest të rregullt juridiko-civil.