Kur Evelyn Roth humbi foshnjën e shumëpritur në muajin e gjashtë të shtatzënisë, ajo mendoi se nuk do ta merrte kurrë veten. Vetëm pas një këshille nga terapistja e saj, ajo gjeti një mënyrë të pazakontë, por qetësuese, për të përballuar dhimbjen: përkujdesjen për një kukull realiste.
Evelyn dhe i dashuri i saj, Logan, të dy 19 vjeç, e përjetuan humbjen e shtatzënisë në mars të vitit 2025. Që atëherë, ata kanë gjetur ngushëllim duke u kujdesur për dy kukulla të tipit Reborn, të cilat i veshin, i nxjerrin shëtitje me karrocë dhe madje i marrin me vete kur dalin për kafe apo darkë.
“Kur humba shtatzëninë, terapistja më sugjeroi kukullat Reborn, duke më thënë se ato i ndihmojnë shumë gra të përballojnë dhimbjen,” tregon Evelyn. “Vendosa ta provoja dhe më ndihmoi jashtëzakonisht shumë. Ishte një nga vendimet më të mira që kam marrë për veten time.”
Kukullat Reborn janë të punuara me shumë detaje, kanë peshë dhe përmasa të ngjashme me një foshnjë të porsalindur dhe janë të pikturuara me dorë për të imituar pamjen reale të një bebi. Pikërisht kjo ndjesi realiste, thotë Evelyn, e ndihmon të mbajë në krahë diçka që i jep qetësi dhe e bën të ndiejë më pak boshllëkun e asaj që mund të kishte qenë.
Ajo rrëfen se shpesh njerëzit mendojnë se kukullat janë foshnja të vërteta kur i sheh në karrocë. “Disa habiten, disa e quajnë të çuditshme – gjë që e kuptoj – por ka edhe nga ata që janë të mahnitur. Shumë duan t’i mbajnë në krahë, sepse janë vërtet si vepra arti.”
Interesimi i saj për këto kukulla kishte nisur që në shkollë, për shkak të realizmit të tyre, por vetëm vite më vonë arriti të blejë një të tillë. Kukulla e parë quhet Anadaya, ndërsa e dyta qëndron në shtëpinë e të dashurit të saj, me emër dhe “identitet” që Evelyn i ndryshon shpesh, duke qeshur se nuk është shumë vendimtare.
Ajo kishte edhe një kukull të tretë, të cilën ia dhuroi një shoqeje që kishte kaluar një humbje të ngjashme. “U ndjeva shumë pranë dhimbjes së saj,” thotë Evelyn.
Evelyn kënaqet duke i veshur kukullat me rroba të ndryshme dhe ka krijuar një gardërobë të vogël për to. Megjithatë, ajo vendos një kufi të qartë: nuk i trajton si foshnja të vërteta. “Gjërat si pelenat apo qumështi artificial mendoj se duhet të ruhen për fëmijë të vërtetë,” shpjegon ajo.
Sipas saj, këto kukulla nuk janë zëvendësim për një fëmijë, por thjesht një mjet për të përballuar dhimbjen. “I mbaj në krahë kur më merr malli për foshnjën time, kur jam e lënduar,” thotë ajo. “Nuk i trajtoj si bebe të vërteta gjatë gjithë kohës.”
Ajo paralajmëron se është e rëndësishme të mos krijohet një lidhje e pashëndetshme dhe se kjo mënyrë përballjeje funksionon vetëm kur personi është në një fazë të caktuar të shërimit emocional. Për Evelyn dhe Logan, kukullat janë një ndihmë e përbashkët për të përballuar dhimbjen e humbjes që të dy ndjejnë.
Evelyn pranon se do të vijë një ditë kur nuk do të ketë më nevojë për to dhe do t’ua kalojë dikujt tjetër që po kalon një traumë të ngjashme. “Nuk mendoj se kjo do të jetë diçka që do ta bëj gjithë jetën,” thotë ajo. “Kur të kem fëmijë të vërtetë, me shumë gjasë do t’i dhuroj ose do t’i shes kukullat.”
Për momentin, megjithatë, ato janë një burim qetësie në një periudhë të dhimbshme, një mënyrë personale dhe e ndërgjegjshme për të ecur përpara pas një humbjeje të madhe. /GazetaExpress/