Miliona persona janë në rrezik serioz për të zhvilluar kancer kolorektal vdekjeprurës para moshës 50-vjeçare për shkak se vuajnë nga sëmundja inflamatore e zorrëve (IBD), paralajmëron një nga ekspertet më të njohura britanike.
Kjo gjendje kronike, e cila shkakton dhimbje të forta abdominale dhe probleme të vazhdueshme të tretjes, rrit rrezikun e kancerit të zorrës së trashë me rreth 600 për qind, sipas profesoreshës Sarah Berry, shkencëtare e ushqyerjes në King’s College London.
Sipas ekspertëve, IBD dëmton shtresën mbrojtëse të zorrëve, duke rritur gjasat për formimin e tumoreve kërcënuese për jetën. Ndërkohë, kanceri kolorektal – i njohur edhe si kanceri i zorrëve – po shënon rritje shqetësuese te të rinjtë në Britani dhe në shumë vende të tjera.
Dikur i lidhur kryesisht me moshën e shtyrë, sot personat nën 50 vjeç në Mbretërinë e Bashkuar kanë rreth 50 për qind më shumë gjasa të zhvillojnë këtë kancer krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre në fillim të viteve ’90. Shkaqet e sakta të kësaj rritjeje ende nuk janë të qarta.
Prof. Berry, e cila drejton një studim me vlerë 20 milionë paund – të quajtur Prospect – që synon të zbardhë këtë fenomen, thotë se provat në rritje sugjerojnë se sëmundja inflamatore e zorrëve mund të jetë pjesërisht përgjegjëse.
IBD prek rreth gjysmë milioni njerëz në Mbretërinë e Bashkuar dhe rreth 2.4 milionë në SHBA, shumica e tyre nën moshën 50 vjeç. Termi përfshin dy sëmundje kryesore: sëmundjen e Crohn-it dhe kolitin ulçeroz, të cilat dëmtojnë zorrët.
Studimet tregojnë se IBD është në rritje në Mbretërinë e Bashkuar dhe, shqetësuese, mijëra pacientë mbeten ende të padiagnostikuar. Sipas ekspertëve, identifikimi dhe trajtimi i hershëm i këtyre pacientëve është thelbësor për frenimin e kancerit të zorrëve në moshë të re.
“Pacientët me IBD kanë rrezik më të lartë për kancer kolorektal të hershëm sesa pjesa tjetër e popullsisë,” thotë prof. Berry. “Hulumtimet në Suedi kanë treguar se kjo gjendje shoqërohet me një rritje gjashtëfish të diagnozave. Teoria kryesore është se inflamacioni i vazhdueshëm në zorrë nxit zhvillimin e kancerit.”
Çdo vit, rreth 44.000 persona diagnostikohen me kancer të zorrëve në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa rreth 17.000 humbin jetën. Shenjat e para shpesh përfshijnë ndryshime të vazhdueshme të zakoneve të jashtëqitjes (diarre ose kapsllëk), gjak në feçe, dhimbje barku, lodhje dhe humbje peshe pa shkak të qartë.
Faktorë si obeziteti, mungesa e aktivitetit fizik dhe konsumimi i alkoolit dihet se rrisin rrezikun e sëmundjes. Megjithatë, deri vonë besohej se rreziku rritej kryesisht me moshën. Tani, gjithnjë e më shumë raste po shfaqen te personat nën 50 vjeç.
Mes rasteve të njohura është gazetarja dhe aktivistja britanike Dame Deborah James, e njohur si “Bowel Babe”, e cila u diagnostikua në moshën 35-vjeçare dhe vdiq në vitin 2022, në moshën 40-vjeçare. Po ashtu, aktori James Van Der Beek njoftoi se ishte diagnostikuar me kancer të zorrëve në vitin 2023, në moshën 46-vjeçare.
Ekspertët po hetojnë disa shkaqe të mundshme për këtë rritje misterioze. Një studim i vitit 2023 zbuloi se gratë e lindura me prerje cezariane kishin rrezik më të lartë për kancer kolorektal të hershëm. Një tjetër teori kryesore lidhet me konsumimin në rritje të ushqimeve ultra-të përpunuara, që përmbajnë aditivë artificialë.
Studimet sugjerojnë se ushqimet ultra-të përpunuara përbëjnë rreth 40 për qind të dietës britanike – një nga nivelet më të larta në Europë. “Dihet tashmë se një dietë e pasur me mishra të përpunuar dhe pije me sheqer rrit rrezikun e kancerit të zorrëve,” thotë prof. Berry. “Ka gjithashtu disa prova se aditivët në ushqimet ultra-të përpunuara mund të nxisin inflamacionin e zorrëve dhe të rrisin rrezikun e kancerit, por kjo ende duhet studiuar më thellë.”
Interesant është fakti se kërkimet sugjerojnë se këto ushqime mund të kontribuojnë edhe në rritjen e rasteve me IBD. Sëmundja e Crohn-it është e pashërueshme dhe mund të prekë çdo pjesë të traktit tretës, nga goja deri në anus, duke shkaktuar dhimbje të forta, diarre, lodhje dhe humbje peshe. Koliti ulçeroz është i ngjashëm, por inflamacioni kufizohet vetëm në zorrë.
Shkaku i saktë i këtyre sëmundjeve nuk dihet, por besohet se lidhet me një sistem imunitar tepër aktiv, i cili sulmon gabimisht indet e shëndetshme të zorrëve.
Një studim i publikuar në British Medical Journal në vitin 2021 tregoi se personat me dietë të pasur me ushqime ultra-të përpunuara kanë më shumë gjasa të zhvillojnë IBD. Ndërsa në vitin 2023, një studim suedez i botuar në revistën Cancers zbuloi se pacientët me IBD kishin gati 600 për qind më shumë rrezik për të zhvilluar kancer kolorektal në moshë të re.
I njëjti studim gjeti se personat me diabet të tipit 2, tension të lartë, kolesterol të lartë dhe perimetër të madh të belit kishin rreth 360 për qind më shumë rrezik për këtë kancer në moshë të hershme. Studiuesit rekomanduan që këta pacientë të përfshihen në programe depistimi për kancerin e zorrëve.
Aktualisht, në Mbretërinë e Bashkuar, depistimi rutinë ofrohet vetëm për moshat 50–74 vjeç, përmes një testi të jashtëqitjes që kryhet në shtëpi (FIT). Studiuesit theksuan gjithashtu se trajtimi efektiv i IBD mund të ulë rrezikun e kancerit.
Sëmundja e Crohn-it dhe koliti ulçeroz mund të mbahen nën kontroll me barna biologjike, të cilat reduktojnë dëmtimin e shkaktuar nga sistemi imunitar. Megjithatë, shumë pacientë në Mbretërinë e Bashkuar nuk marrin trajtim në kohë: një anketë e vitit 2024 zbuloi se një në shtatë të rritur me IBD u diagnostikuan vetëm pas një shtrimi urgjent në spital, për shkak të përkeqësimit të rëndë të simptomave. /GazetaExpress/