Më 12 shkurt nga ora 19:00 në “Reporting House” mbahet diskutim publik me Renea Begollin me temën “Praktika dhe Procesi i një artisteje të re në Kosovë”.
Rruga e një artisteje nuk ndërtohet vetëm nga ekspozitat dhe çmimet, por edhe nga procesi, kërkimi, eksperimentimi e puna e përditshme.
Në këtë bisedë të hapur me Renea Begollin, artiste vizuale dhe hulumtuese me bazë në Prishtinë, flitet për fillimet e saj në art, formimin e praktikës artistike dhe hapat që kanë ndërtuar rrugën e saj si artiste e re në Kosovë.
Diskutimi fokusohet në procesin kreativ dhe punën kërkimore, duke u ndalur te temat themelore të veprave së saj si memoria, trupi dhe ekologjia, po ashtu dhe te mënyra se si trupi trajtohet si arkiv i përvojës personale dhe kolektive.
Përmes veprave të përzgjedhura dhe hulumtimit te Reneas, diskutohet përgjegjësia e të punuarit me kujtesën në kontekstin e pas luftës në Kosovë, si dhe roli i institucioneve dhe skenës së artit në zhvillimin e praktikës artistike.