Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK) ka shprehur shqetësim të thellë dhe kundërshtim të fuqishëm ndaj përmbajtjes dhe gjuhës së përdorur nga Prokuroria në fjalët përmbyllëse në Dhomat e Specializuara në Hagë.
OVL – UÇK vlerëson se pretendimet e Prokurorisë, përfshirë etiketimin e udhëheqjes së UÇK-së si pjesë e një të ashtuquajture “Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale”, përbëjnë një përpjekje të papranueshme për kriminalizimin e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës dhe për rishkrimin e historisë.
“Pretendime të tilla janë një tentativë e drejtpërdrejtë për të njollosur luftën tonë çlirimtare dhe për të deformuar të vërtetën historike të rezistencës së drejtë të popullit të Kosovës,” thuhet në reagimin e OVL UÇK.
Sipas organizatës, UÇK-ja ishte dhe mbetet një ushtri çlirimtare, e krijuar nga nevoja për mbijetesë dhe liri, e mbështetur gjerësisht nga populli i Kosovës dhe e njohur nga bashkësia ndërkombëtare si palë legjitime në luftën kundër regjimit serb.
“UÇK-ja lindi si përgjigje ndaj dhunës dhe gjenocidit shtetëror serb dhe gëzoi mbështetjen e popullit dhe të faktorëve ndërkombëtarë,” thekson më tej OVL UÇK.
Organizata shpreh gjithashtu bindjen se procesi në Dhomat e Specializuara është selektiv dhe i njëanshëm, duke injoruar krimet e kryera nga shteti serb dhe duke u fokusuar padrejtësisht mbi drejtuesit e luftës çlirimtare.
“Kjo gjykatë po injoron krimet shtetërore të Serbisë dhe po synon padrejtësisht drejtuesit e luftës sonë çlirimtare,” thuhet në reagim.
“Drejtësia e vërtetë nuk ndërtohet mbi shtrembërim faktesh, por mbi të vërtetën e plotë,” përfundon reagimi i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Nga një karrierë shumëvjeçare në gazetari, drejt sipërmarrjes dhe inovacionit në ndërtim – rruga profesionale e Esat Ahmetit pasqyron...