Një 18-vjeçare nga Azia Qendrore, e identifikuar me emrin e ndryshuar Dilbar, ka kaluar muaj të tërë në paraburgim në qytetin rus Omsk, ku sipas saj është rrahur, torturuar me elektroshok dhe kërcënuar nga rojet e burgut.
Teksa pret gjykimin për akuza për kontrabandë droge – akuza që ajo i mohon – Dilbar është vënë përballë një zgjedhjeje të rëndë: deri në 15 vjet burg ose pjesëmarrje në luftën e Rusisë në Ukrainë në këmbim të lirisë.
Rasti i saj ka hedhur dritë mbi rekrutimin e grave migrante nga Azia Qendrore për përpjekjet ushtarake të Rusisë në Ukrainë. Në Rusi jetojnë miliona punëtorë migrantë nga ish-republikat sovjetike të Azisë Qendrore, ndërsa besohet se mijëra burra nga kjo zonë janë bashkuar me forcat ruse, disa vullnetarisht dhe të tjerë nën presion.
Edhe pse në numër më të vogël, edhe gratë janë përfshirë në këtë proces. Numri i saktë i tyre nuk dihet.
“Mama, më fal”, ka shkruar Dilbar në një letër drejtuar nënës së saj. “Nëse më japin një dënim të gjatë, do të shkoj në luftë. Atje do të më paguajnë dhe pas një viti do të jem e lirë.”
Dilbar, shtetase e Kirgistanit, u arrestua në tetor, një vit pasi ishte shpërngulur në Rusi nga qyteti Osh. Ajo u ndalua gjatë një shëtitjeje me miqtë në Omsk. Aktivistët për të drejtat e njeriut thonë se migrantët nga Azia Qendrore, përfshirë gratë, shpesh arrestohen nën akuza të rreme për drogë.
Sipas motrës së saj, autoritetet i kanë ofruar Dilbarit të shërbejë si kuzhiniere në ushtrinë ruse në Ukrainë, me pagesë dy milionë rubla (rreth 26 mijë dollarë) për një vit shërbimi, si dhe lirimin pas përfundimit të kontratës.
Motra e saj, e cila ka udhëtuar nga Kirgistania për të ndjekur seancat gjyqësore, ka thënë se e ka lutur Dilbarin të mos pranojë ofertën.
“Shpesh dëgjojmë se njerëzit që shkojnë në Ukrainë nuk kthehen të gjallë”, ka deklaruar ajo për Shërbimin Kirgistanas të Radios Evropa e Lirë.
Ajo ka shtuar se edhe babai i tyre, gjithashtu punëtor migrant në Rusi, ishte regjistruar për luftë në vitin 2023, por që atëherë figuron i zhdukur.
Rekrutimi i të burgosurve
Rusia ka rekrutuar dhjetëra mijëra të burgosur për luftën në Ukrainë në këmbim të shkurtimit ose anulimit të dënimeve. Ministria ruse e Mbrojtjes dhe grupi mercenar Wagner kanë kërkuar rekrutë nëpër burgje, ku besohet se janë përfshirë edhe qindra gra, si shtetase ruse ashtu edhe të huaja.
Disa gra janë dërguar në vijën e frontit, ndërsa të tjera janë angazhuar si kuzhiniere, pastruese, infermiere apo ndihmëse mjekësore.
Organizata për të drejtat e njeriut “Ezgulik”, me seli në Uzbekistan, ka bërë të ditur se ka pranuar letra nga familjarë të dhjetëra grave të burgosura, të cilat pretendojnë se autoritetet e burgjeve po i detyrojnë të regjistrohen për luftë.
Sipas dëshmive, disa gra janë privuar nga ushqimi për ditë të tëra për t’u thyer vullneti, ndërsa disa të tjera kanë tentuar vetëvrasjen për të shmangur dërgimin në Ukrainë.
Autoritetet ruse mohojnë se po rekrutojnë gra për role luftarake, duke thënë se shërbimi i tyre është vullnetar. Megjithatë, nuk ka të dhëna zyrtare se sa gra, veçanërisht shtetase të huaja, janë dërguar në front.
Ndërkohë, qeveritë e vendeve të Azisë Qendrore u kanë bërë vazhdimisht thirrje qytetarëve të tyre që të mos marrin pjesë në konflikte të huaja, duke paralajmëruar se kjo përbën vepër penale. Megjithatë, deri më tani vetëm pak raste kanë përfunduar në gjykata. /REL
Nga një karrierë shumëvjeçare në gazetari, drejt sipërmarrjes dhe inovacionit në ndërtim – rruga profesionale e Esat Ahmetit pasqyron...