Tirana u bë sërish qendër e një performance të pazakontë kur Padre Guilherme, prifti portugez i njohur ndërkombëtarisht si “DJ-i prift”, ngjiti skenën për herë të parë në Shqipëri.
I veshur me bluzë kuqezi dhe shqiponjën dykrenore në gjoks, ai solli një koncert ku elektro-techno bashkohej me mesazhe shprese, paqeje dhe bashkimi.
Performanca e tij u shoqërua me imazhe dhe simbole vizuale mbresëlënëse: pëllumb i bardhë në fluturim, fjalë për paqen dhe fotografia e Papës mbi ekranin LED, duke kthyer shfaqjen në një përvojë që shtrihej përtej muzikës dhe prekente edhe shpirtin.
“Jemi nga Austria dhe donim patjetër të ishim këtu. Është koncerti i parë i Padre Guilherme në Shqipëri,” tha një nga të pranishmet. Një tjetër shtoi: “Shoqet më treguan për të dhe mendova, pse jo? Kemi ardhur posaçërisht nga Ulqini.”
Të rinjtë vendas dhe të huaj e përshkruan performancën si emocionuese dhe unike. “Më pëlqen muzika dhe mesazhet e tij për ekologjinë dhe paqen në botë,” tha një djalë nga Rusia që jeton në Tiranë.
Guilherme Peixoto, emri i tij i vërtetë, është shuguruar prift në vitin 1999 dhe shërben në Arqipeshkvinë e Bragës në Portugali. Ai është gjithashtu kapelan ushtarak me gradën nënkolonel dhe ka marrë pjesë në misione jashtë vendit. Karriera e tij si DJ nisi për të mbështetur aktivitete bamirësie të famullive dhe u bë virale gjatë pandemisë me set-et e tij online.
Padre Guilherme ka performuar në skena të mëdha botërore: në Ditën Botërore të Rinisë në Lisbonë para mbi 1.5 milion njerëzve, në festivale si Medusa në Valencia dhe Zamna në Kili, si dhe në klube ikonike si Hï Ibiza. Ai ka dhënë performanca edhe në monumente kulturore si Cristo Redentor në Rio de Janeiro dhe Torre dos Clérigos në Porto, duke tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare si Reuters, Forbes dhe The Guardian.
Me mijëra spektatorë të pranishëm dhe një atmosferë që bashkonte muzikën, besimin dhe komunitetin, Padre Guilherme solli në Tiranë një performancë të paharrueshme, duke treguar se arti dhe shpirti mund të gjejnë një gjuhë të përbashkët edhe nëpër valle elektronike.
Nga një karrierë shumëvjeçare në gazetari, drejt sipërmarrjes dhe inovacionit në ndërtim – rruga profesionale e Esat Ahmetit pasqyron...