Autoritetet norvegjeze kanë hapur një hetim ndaj dy diplomatëve, Mona Juul dhe bashkëshortit të saj Terje Rød-Larsen, në lidhje me marrëdhëniet e tyre me financierin amerikan të akuzuar për pedofili, Jeffrey Epstein. Hetimi po kryhet nga Økokrim, njësia kombëtare norvegjeze kundër krimeve ekonomike, nën dyshimet për korrupsion të rëndë.
Mona Juul, e cila dha dorëheqjen të dielën nga posti i ambasadores së Norvegjisë në Jordani dhe Irak, dyshohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme gjatë punës së saj në ministrinë e Punëve të jashtme. Ndërkohë, Rød-Larsen, ish-diplomat dhe ish-president i Institutit Ndërkombëtar të Paqes (IPI), po hetohet për bashkëpunim në korrupsion.
Avokatët e çiftit kanë deklaruar se klientët e tyre po bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet dhe janë të bindur se akuzat do të rezultojnë të pabaza. Sipas tyre, hetimi ndaj Rød-Larsen përqendrohet kryesisht në një transferim apartamenti në vitin 2018 dhe një udhëtim të mundshëm në vitin 2011.
Juul dhe Rød-Larsen, të njohur për rolin e tyre në lehtësimin e Marrëveshjeve të Oslos në vitet 1990, janë përfshirë në dosjet e publikuara së fundmi nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së lidhur me Epstein.
Këto dokumente sugjerojnë se Epstein u kishte lënë trashëgim fëmijëve të çiftit rreth 10 milionë dollarë dhe se Rød-Larsen ishte emëruar ekzekutor i testamentit të tij në vitin 2017, rol që më vonë u revokua. Dosjet tregojnë gjithashtu se familja kishte vizituar ishullin privat të Epstein në vitin 2011.
Zbulimet kanë tronditur Norvegjinë dhe kanë rikthyer vëmendjen mbi lidhjet e Epstein me figura të njohura, përfshirë edhe Princeshën e Kurorës Mette-Marit, e cila ka shprehur keqardhje për kontaktet e saj me financierin. Autoritetet norvegjeze kanë hapur gjithashtu hetim ndaj ish-kryeministrit dhe ish-kreut të Komitetit Nobel, Thorbjørn Jagland. /Panorama
Nga një karrierë shumëvjeçare në gazetari, drejt sipërmarrjes dhe inovacionit në ndërtim – rruga profesionale e Esat Ahmetit pasqyron...