Shkencëtarët kanë identifikuar dekadën më rraskapitëse të jetës – dhe lajmi nuk është i mirë për ata që po i afrohen të 40-ave.
Sipas profesoreshës Michelle Spear, anatome në Universitetin e Bristolit, të 40-at janë vitet më lodhëse të gjithë jetës. Arsyeja nuk lidhet thjesht me plakjen, por me faktin se disa ndryshime biologjike të vogla ndodhin njëkohësisht, pikërisht në një periudhë kur kërkesat e jetës, punës dhe familjes arrijnë kulmin.
Profesorja Spear e përshkruan lodhjen e moshës së mesme si një “mospërputhje mes biologjisë dhe kërkesave”. Trupi vazhdon të prodhojë energji, por jo më në të njëjtat kushte si në rininë e hershme, ndërkohë që kërkesat ndaj kësaj energjie janë më të lartat.
Pse 20-at dukeshin kaq të lehta
Kur kujtojmë të 20-at, shumëkush ka ndjesinë se trupi “përballonte gjithçka”: pak gjumë, net të gjata, stërvitje të çrregullta – dhe sërish funksiononte mirë. Sipas shkencës së plakjes, kjo ndjesi është e saktë.
Në të 20-at, trupi është biologjikisht më “falës”:
muskujt riparohen më shpejt,
inflamacioni zgjat më pak,
prodhimi i energjisë në nivel qelizor është më efikas.
Mitokondritë, “centralet” e energjisë në qeliza, prodhojnë më shumë energji me më pak mbetje dhe stres për organizmin. Si pasojë, gabime si mungesa e gjumit apo lodhja fizike kanë më pak pasoja.
Çfarë ndryshon në të 40-at
Nga fundi i të 30-ave dhe fillimi i të 40-ave, ky ekuilibër fillon të lëkundet. Masa muskulore nis të bjerë natyrshëm, nëse nuk ruhet me ushtrime force. Me më pak muskuj, edhe lëvizjet e përditshme kërkojnë më shumë energji sesa dikur.
Mitokondritë vazhdojnë të punojnë, por më pak me efikasitet, duke prodhuar më pak energji dhe më shumë “mbetje”. Kjo e bën rikuperimin më të kushtueshëm biologjikisht: një natë pa gjumë apo një periudhë stresi, që në të 20-at nuk do të ndihej, tani lodh shumë më tepër.
Një tjetër ndryshim i madh është përkeqësimi i gjumit. Në rini, gjumi është më i thellë dhe më rigjenerues, edhe kur zgjat më pak. Me kalimin e moshës, mekanizmat që mbështesin gjumin e thellë bëhen më të paqëndrueshëm.
Te gratë, luhatjet hormonale gjatë peri-menopauzës (sidomos estrogjeni dhe progesteroni) ndikojnë drejtpërdrejt në zonat e trurit që rregullojnë gjumin dhe temperaturën e trupit. Si pasojë, është më e vështirë të ruhet gjumi i thellë dhe restaurues.
Njëkohësisht, reagimi i trupit ndaj stresit bëhet më aktiv. Kortizoli ka më shumë gjasa të rritet gjatë natës, në vend që të ulet, duke e bërë gjumin më të lehtë dhe të ndërprerë. Edhe pse mund të flini po aq orë, ndiheni më pak të çlodhur.
Lodhja mendore, po aq e rëndë sa ajo fizike
Këto ndryshime biologjike ndodhin pikërisht në një periudhë kur truri përballet me ngarkesën më të madhe mendore dhe emocionale. Studimet tregojnë se mosha e mesme është kulmi i përgjegjësive: role drejtuese, kujdes për fëmijë, shpesh edhe për prindër të moshuar.
Meqë lodhja mendore harxhon energji po aq sa puna fizike, shumë njerëz ndihen të rraskapitur edhe pa kryer punë të rënda trupore.
Megjithatë, profesorja Spear thekson se përvoja e plakjes nuk është e njëjtë për të gjithë. Dy persona të së njëjtës moshë mund të kenë nivele shumë të ndryshme energjie, në varësi të ngarkesës fizike dhe emocionale që mbajnë prej vitesh.
Lajmi i mirë: Energjia rikthehet
Paradoksalisht, nivelet e energjisë priren të rriten dhe të stabilizohen në të 60-at, edhe pse kapaciteti fizik bie gradualisht. Stresi zakonisht është më i ulët, puna më pak kërkuese dhe ritmet e gjumit bëhen më të rregullta.
Mitokondritë përshtaten mirë edhe në moshë të madhe dhe mund të përmirësohen ndjeshëm me ushtrime force. Studimet tregojnë se edhe personat në të 60-at dhe 70-at mund të rikthejnë forcën, të përmirësojnë metabolizmin dhe të ndihen më energjikë brenda pak muajsh stërvitje të rregullt.
Çfarë duhet synuar realisht
Sipas profesoreshës Spear, qëllimi nuk është të rikrijohet energjia e të 20-ave, por të mbrohet dhe të prioritizohet rikuperimi. Kjo përfshin:
orare të rregullta gjumi,
ushtrime force për ruajtjen e muskujve,
menaxhim të stresit (jo thjesht “shtyrje përpara”),
ushqyerje të mjaftueshme, veçanërisht proteina.
Me kujdesin e duhur, vitet që vijnë mund të mos jenë më të lodhshme – por më të qëndrueshme dhe të parashikueshme për energjinë tuaj. /GazetaExpress/
Nga një karrierë shumëvjeçare në gazetari, drejt sipërmarrjes dhe inovacionit në ndërtim – rruga profesionale e Esat Ahmetit pasqyron...