Policia e Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Privatësia”, duke arrestuar një shtetas kosovar i cili dyshohet se ka shantazhuar një të re, me qëllim përfitimin e shumës prej 100 mijë euro.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Pronës ndërhynë menjëherë pas marrjes së indicieve se një shtetas po kërcënonte një 26-vjeçare përmes thirrjeve dhe mesazheve në një platformë komunikimi, duke i kërkuar shumën e lartë të parave në këmbim të mos publikimit në rrjete sociale të fotove dhe videove me përmbajtje intime.
Në kuadër të veprimeve hetimore dhe operacionale, u identifikua, kap dhe arrestua autori i dyshuar H. L., 37 vjeç, banues në Kosovë.
Sipas Policisë, materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa shtetasi i arrestuar akuzohet për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Policia bën të ditur se hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e rastit dhe për të dokumentuar çdo element tjetër të veprimtarisë kriminale.