Një grup shkencëtarësh dhe inxhinierësh të klimës kanë propozuar një zgjidhje të pazakontë për të ngadalësuar shkrirjen e akullnajës Thwaites në Antarktidën Perëndimore, e njohur ndryshe si “akullnaja e Ditës së Gjykimit”.
Sipas studimeve të fundit, kjo akullnajë po shkrihet me ritme më të shpejta nga sa ishte parashikuar, duke përbërë një rrezik serioz për rritjen e nivelit të detit në shkallë globale.
Thwaites kontribuon rreth 4% të rritjes vjetore të nivelit të detit dhe, nëse do të shembej plotësisht, mund të shkaktonte një rritje deri në 65 centimetra, duke vënë në rrezik miliona banorë të zonave bregdetare. Për të frenuar këtë proces, propozohet ndërtimi i një barriere nënujore fleksibile, rreth 152 metra e lartë dhe 80 kilometra e gjatë, e ankoruar në shtratin e detit. Qëllimi është të bllokohet depërtimi i ujërave të ngrohta oqeanike që përshpejtojnë shkrirjen e akullit, shkruan AS
Projekti parashikon një fazë trevjeçare kërkimi për testimin e materialeve dhe prototipeve, si dhe matje të detajuara brenda akullnajës për të kuptuar më mirë ndërveprimin mes oqeanit dhe bazës së saj. Shkencëtarët theksojnë se kjo zgjidhje nuk ndalon ndryshimet klimatike, por mund të fitojë kohë të çmuar për të kufizuar pasojat e tyre.