Gjykata në Kishinjev ka shpallur fajtorë tre persona për përfshirje në një grup të organizuar kriminal, i cili gjatë vitit 2024 kishte planifikuar trazira të dhunshme masive në Moldavi, si dhe kishte organizuar trajnime jashtë vendit, konkretisht në Bosnje e Hercegovinë dhe Serbi.
Aliona Gotco, Ludmila Costenco dhe Vladimir Harcevnicov janë dënuar me burgime që variojnë nga katër deri në gati pesë vjet e gjysmë për pjesëmarrje në kampet e trajnimit gjatë vitit 2024.
Aliona Gotco është dënuar me katër vjet e një muaj burg, Ludmila Costenco me katër vjet burg, ndërsa Vladimir Harcevnicov me pesë vjet e katër muaj burg.
Të akuzuarit, Aliona Gotco, Ludmila Costenco dhe Vladimir Harcevnicov, u paraqitën për herë të parë para gjykatës në pranverën e vitit 2025. Edhe pse u deklaruan të pafajshëm ndaj aktakuzës, e cila i ngarkonte me përgatitjen e trazirave në shtet, të gjithë pranuan se kishin qëndruar në një kamp në Bosnje e Hercegovinë, raporton birn.
Të pandehurit deklaruan gjithashtu se udhëtonin shpesh në Banja Llukë të Bosnje-Hercegovinë, ku ndodheshin kampet e trajnimit. Dëshmitë përshkruan edhe trajnimet për menaxhimin e dronëve.
Trajnimi fillimisht zhvillohej përmes simulimeve, e më pas me drejtimin praktik të fluturakeve. Dronët, përveç pajisjeve standarde, ishin të pajisur me mekanizma për lëshimin e objekteve, si bomba tymuese apo shokuese.
Sipas dëshmive, instruktori përgjegjës për dronët ishte një shtetas rus dhe pjesëmarrësit e kampit e thërrisnin “Viktor”, por identiteti i tij i plotë nuk u zbulua kurrë.
Sipas një liste të shërbimit inteligjent moldavian, mercenarë rusë, të cilët më herët ishin lidhur me grupin Wagner dhe me veprime në Afrikë, përfshirë vrasje të gazetarëve, kanë pasur gjithashtu rol në trajnimin e shtetasve të Moldavisë.
Të dënuarit nuk ishin të pranishëm në shpalljen e aktgjykimit. /Telegrafi