Pas deklaratës së ambasadorit britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, i cili theksoi se “Ushtria e Kosovës, nëse gjërat shkojnë mirë, mund të angazhohet në Ukrainë dhe në Evropë”, eksperti i gjeopolitikës, Lutfi Bilalli, komentoi se ky angazhim mund të ketë ndikim të rëndësishëm në procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO.
Por sipas tij, kjo kërkon kohë dhe kujdes, shkruan Klankosova.tv
“Ne duhet të kemi kujdes, sepse në parlamentet evropiane të vendeve të NATO-s ka pro dhe kundër”, tha Bilalli.
Ai gjithashtu kujtoi misionet ndërkombëtare të Kosovës, duke përfshirë Kuvajtin në vitin 2021, Ishujt Britanik dhe pjesën jugore të Meksikës, duke nënvizuar rëndësinë e përfaqësimit të vendit në arenën ndërkombëtare.
“Kjo është një deklaratë që për Kosovën, definitivisht e thotë që është një partner dhe aleat që do të marrë përgjegjësi për sigurinë e Evropës. Kjo do të ketë vlerë të madhe edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO që është jetike për Kosovën”, shtoi ai në Klan Kosova.
“Por më duket se janë procese që do të kërkojnë kohë” Është me rëndësi që Kosova të përfaqësohet. Kosova misionin e parë ka pasur në Kuvajt në vitin 2021 dhe e dyta është në Ishujt britanik, dhe mendoj që e treta ka qenë në pjesën jugore të Meksikës”, përfundoi eksperti i gjeopolitikës.