Feronikeli ’74 u mposht nga Besa Peja gjatë ditës së shtunë, me ndeshjen e luajtur në kuadër të Ligës së Parë.
Besa Peja fitoi me rezultat minimal prej 1-0, shkruan “Gazeta Express”.
Mirëpo, një ditë më vonë, Feronikeli ’74 ka dalë me një reagim zyrtar.
Nga klubi – përmes një komunikate në faqen zyrtare të klubit në rrjetet sociale – thonë se gjyqtari i ndeshjes, Ilaz Ajeti e dëmtoi Feronikelin ’74.
Ata e kanë bërë një përmbledhje të rasteve, ku thonë se janë dëmtuar nga gjyqtari në fjalë.
POSTIMI I PLOTË:
“Reagim Zyrtar nga FC Feronikeli 74
FC Feronikeli 74 falënderon klubin FC Besa Pejë për mikpritjen dhe korrektësinë gjatë ndeshjes së zhvilluar.
Pa dashur të mohojmë angazhimin dhe luftën sportive të lojtarëve të FC Besës, jemi të detyruar të reagojmë për mënyrën se si kjo ndeshje u ndikua drejtpërdrejt nga referimi.
Në disa raste vendimtare, arbitri kryesor i ndeshjes, Ilaz Ajeti, mori vendime të pashpjegueshme dhe të pajustifikueshme për këtë nivel garash, të cilat e dëmtuan qartë klubin tonë dhe e orientuan rrjedhën e rezultatit.
Këto nuk janë gabime të vogla janë vendime që ndryshojnë fatin e një ndeshjeje.
Bashkangjitur me këtë reagim publikojmë edhe videot e rasteve konkrete, që opinioni sportiv ta vlerësojë vetë se çfarë ka ndodhur në fushë.
FC Feronikeli 74 kërkon respekt, drejtësi dhe standard profesional në çdo ndeshje. Futbolli nuk guxon të vendoset nga gabime skandaloze”, thuhet në komunikatën e klubit./GazetaExpress/