Ministri i Jashtëm danez, Lars Loke Rasmussen, deklaroi sot se marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara lidhur me kërkesën e ish-presidentit Donald Trump për të blerë Grenlandën janë përmirësuar, por shtoi se kriza “nuk ka mbaruar ende”.
“Kriza nuk ka përfunduar dhe nuk kemi ende një zgjidhje,” tha Rasmussen gjatë një konference për mediat në Nuuk, kryeqytetin e territorit autonom danez, duke shtuar se “gjendja është shumë më e mirë tani sesa disa javë më parë”. Ai gjithashtu siguroi se nuk ka “asnjë kërcënim në tavolinë” dhe se nuk ka “asnjë luftë tregtare me Europën”.
Nga ana e saj, ministrja e Jashtme grenlandeze, Vivian Motzfeldt, tha se megjithëse është pozitive që bisedimet me SHBA vazhdojnë, Grenlanda nuk ka arritur ende pikën që dëshiron, dhe është shumë herët për të parashikuar rezultatin.
“Ne nuk jemi ende aty ku duam të jemi. Do të jetë një rrugë e gjatë, ndaj është shumë herët të themi se ku do të përfundojmë,” tha Motzfeldt gjatë një konference të përbashkët për shtyp në Nuuk me homologët e saj danez dhe kanadez.