Manchester United thuhet se pati mundësinë të nënshkruante me një ish-mesfushor të Premierligës gjatë merkatos së janarit, por marrëveshja nuk u realizua.
United nuk firmosi asnjë lojtar në dimër, pasi verën e kaluar kishte transferuar Benjamin Sesko, Bryan Mbeumo, Matheus Cunha dhe Senne Lammens.
Megjithatë, “Djajtë e Kuq” mund të kërkojnë një mesfushor të nivelit të lartë për të zëvendësuar Casemiron, i cili pritet të largohet pas skadimit të kontratës në fund të sezonit 2025/26.
Disa emra si Elliot Anderson i Nottingham Forest, Carlos Baleba i Brighton dhe Adam Wharton i Crystal Palace vazhdojnë të lidhen me një kalim të mundshëm në “Old Trafford”.
Megjithatë, klubi mund të kishte sjellë një tjetër lojtar me eksperiencë në Premierligë në janar, pasi iu ofrua një opsion me kosto të ulët.
Sipas gazetarit Fabrizio Romano, ish-mesfushori i Leicester City dhe aktualisht i Besiktas, Wilfred Ndidi, iu ofrua Manchester United si një “opsion me kosto të ulët” dhe lojtari ishte i interesuar për transferimin.
“Në lidhje me afrimet, mund të them se Wilfred Ndidi, ish-mesfushor i Leicester dhe tani te Besiktas, iu ofrua Manchester United,” tha Romano në podcastin “Here We Go”.
“Ishte një opsion me kosto të ulët, lojtari ishte shumë i interesuar, por United vendosi menjëherë të mos vazhdonte. Ata kishin mundësinë për një marrëveshje të tillë, por zgjodhën të mos e bëjnë”, tha ai.
Ndidi luajti më parë në Premierligë me Leicester City, ku bëri 303 paraqitje mes viteve 2017 dhe 2025.
Ben Jacobs shpjegoi se Ndidi fillimisht u ofrua si huazim me opsion blerjeje rreth 10.4 milionë paund.
“Manchester United zhvilloi bisedime me Michael Carrick, i cili kishte riintegruar Kobbie Mainoo, dhe vendosën se nuk donin të nënshkruanin një mesfushor tjetër tani dhe do të presin verën,” tha Jacobs.
“Kur të vijë vera, Ndidi nuk pritet të jetë kandidat. Ishte një huazim me opsion blerjeje rreth 12 milionë euro. United kërkoi kushtet nga Besiktas dhe edhe Ajax bëri të njëjtën gjë. Pas diskutimeve të brendshme, vendosën të mos bëjnë ofertë.”
Ndidi ka kontratë me Besiktas deri në qershor 2028./GazetaExpress/