Ish-kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i ka reaguar djalit të ish-presidentit Ibrahim Rugova, Ukë Rugovës, pasi që ky i fundit e ka cilësuar presidenten Vjosa Osmani si ‘’rugoviste’’.
Për këtë, Mustafa ka thënë se Ukë Rugova së pari, duhet të sqarojë se çfarë është rugovizimi, dhe se, sipas Mustafës, sjelljet e Osmanit s’janë sjellje të Ibrahim Rugovës.
‘’Ukë Rugova mas pari duhet me sqaru çka është Rugovizmi. A është sjellja e zonjës Osmani sjellje e Ibrahim Rugovës? Unë them se jo. Tash në qoftëse Ukë Rugova, djali i Ibrahim Rugovës, thotë se është rugoviste, atëherë pse rugovistja e Ukë Rugovës e shkatërroi LDK? Pse? Cila ishte arsyeja e saj që ta shkatërroi LDK’në, dhe ta çoj LDK’në në VV.
Në një parti të majtë, krejtësisht të majtë, ta shkatërroi konkurrencën politike në Kosovë, sepse pa LDK nuk ka konkurrencë politike në Kosovë. Me LDK e të dëmtuar, të shkatërruar, Kosova nuk ka konkurrencë, Kosova ka veç shtet një partiak. Edhe në qoftë se dikush i kontribuon këtij shteti një partiak në Kosovë, atëherë çka ka lidhje me Rugovë. Pse po e keqpërdorim Rugovën si president, si bashkëpuntorë ose si babë, nuk ka asnjë kuptim të sillemi kështu’’, ka deklaruar ai për kp.