Me qenë kryetar i LDK-së nuk do të kisha lejuar që deputetët e mi të votojnë ose t’ia mundësojnë Vjosa Osmanit të jetë presidente, thotë Isa Mustafa. Sipas tij, Osmani gjatë pesë viteve të mandatit nuk ka qenë neutrale, por e njëanshme, duke i mbajtur anën qeverisë dhe Lëvizjes Vetëvendosje.
Madje, ai në një intervistë për KosovaPress, thekson se sjellja e Osmanit nuk përkon me rugovizmin, pasi e njëjta e ka shkatërruar LDK-në. Megjithatë, Mustafa deklaron se nëse Osmani propozohet sërish për presidente, i takon deputetëve të LDK-së të analizojnë dhe mos të nguten për çfarëdo vendimmarrje.
Ai e akuzoi Osmanin edhe për shkelje të vazhdueshme të Kushtetutës, duke përmendur rastin e shkarkimit të kryetares së KQZ-së dhe bllokimin e Kryeprokurorit të Shtetit.
Duke folur për deklarimet e deputetit të LDK-së, Ukë Rugovës, njëherësh djali i ish-presidentit Ibrahim Rugova, se Osmani është rugoviste, ai thotë se sjellja e saj nuk përkon me rugovizmin.
Mustafa thekson se LDK-ja e dëmtuar dhe e përçarë i shërben vetëm krijimit të një shteti njëpartiak në Kosovë.
“Ukë Rugova së pari duhet të sqarojë çka është Rugovizmi. A është sjellja e zonjës Osmani, sjellja e Ibrahim Rugovës? Unë mund të them jo. Unë e njoh Rugovën…. Tash në qoftë se Ukë Rugova, djali i Ibrahim Rugovës, thotë se është rugoviste, atëherë pse rugovistja e Ukë Rugovës e shkatërroi LDK-në? Pse? Cili ishte arsyeja e saj që ta shkatërronte LDK-në edhe ta çonte LDK-në në VV, në një parti të majtë, krejtësisht të majtë. Ta shkatërronte konkurrencën politike në Kosovë, sepse pa LDK nuk ka konkurrencë politike në Kosovë. Me LDK-në të dëmtuar, të shkatërruar, Kosova s’ka konkurrencë. Kosova veç me ka shtet njëpartiak. Edhe në qoftë se dikush i kontribuon këtij shteti njëpartiak në Kosovë, atëherë ç’a ka lidhje me Ibrahim Rugovën? Pse po keqpërdorim Ibrahim Rugovën si bashkëpunëtor, si kryetar, si president, ose si babë? Nuk ka asnjë, nuk ka asnjë kuptim të sillemi kështu, ose t’i bëjmë njerëzit tanë të këqija në këtë botë edhe thotë, “Jam rugovist”. Dalin e bëjnë zhurmën më të madhe, themi, e cila nuk përngjan në asgjë, edhe thotë, “Jam rugovist i Ibrahim Rugovës”. Po si je Ibrahim Rugovës? Ibrahim Rugova s’është sjellë kurrë ashtu”, deklaron Mustafa.
Sipas tij, nëse s’ka konsensus për zgjedhjen e presidentit, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të reja. Ai deklaron se nëse LDK-ja kthjellet dhe ka unitet të brendshëm, shumë lehtë do t’i arrijë 20 deputetë në Kuvend.
Mustafa deklaron se s’ka asnjë ambicie për president të vendit, edhe nëse propozohet si emër nga LDK-ja për këtë post.
Ai deklaron se tani ka probleme shëndetësore, duke përmendur edhe sfidat që ka pasur si kryeministër, kur, siç thotë, është ballafaquar me gazlotësjellës dhe bomba gazi, madje edhe djegie të shtëpisë./KP/