Kriza dhe sfidat e rendit aktual ndërkombëtar - Gazeta Express
string(45) "kriza-dhe-sfidat-e-rendit-aktual-nderkombetar"

OP/ED

Gazeta Express

07/02/2026 11:07

Kriza dhe sfidat e rendit aktual ndërkombëtar

OP/ED

Gazeta Express

07/02/2026 11:07

Shkruan: Paskal Milo

Të gjithë e pranojnë se sot rendi ndërkombëtar ndodhet në krizë. Kolonat mbi të cilat ai u ndërtua pas Luftës së Dytë Botërore janë lëkundur. Mbarimi i Luftës së Ftohtë solli ndryshime në raportin e forcave brenda sistemit ndërkombëtar, por ato nuk i minuan në thelb themelet e tij të paktën në 20-25 vitet që erdhën më pas.

Zhvillimet dhe fenomenet globale politike, ekonomike, sociale, klimatike, mjedisore dhe teknologjike, në mënyrë graduale sollën sfida të shumta strukturore e normative, krizën e rendit liberal, zhvendosje të fuqisë globale, rikthimin e rivaliteteve mes fuqive të mëdha dhe dobësimin e multilateralizmit. Sot në botë përplasen dy tendenca: ajo mes rendit universal normativ dhe hegjemonik me atë të pluralizmit konkurrues pa qendër normative. Aktorët e mëdhenj ndërkombëtarë po veprojnë pjesërisht dhe ende brenda kornizës së rendit liberal ndërkombëtar të dobësuar për t’u përshtatur, për të ruajtur pozitat e vjetra dhe pse jo edhe për t’i forcuar ato. Ajo çfarë vihet re është shpejtësia e ritmeve të ndryshimit të realitetit dhe nevoja për t’u shkëputur nga politikat tradicionale flegmatike dhe burokratike në trajtimin e tyre.

Rikthimi i Presidentit Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, teknologjia e tij politike agresive në marrëdhëniet ndërkombëtare, shënoi një lëvizje tektonike në stratifikimin global që do të sjellë zhvendosje vertikale dhe horizontale të pllakave të fuqisë të aktorëve kryesorë ndërkombëtarë. Strategjia e re e Sigurisë Kombëtare e administratës ‘Trump’, e shpallur në fund të vitit të kaluar, ndërhyrja ushtarake në Venezuelë, platforma e “Bordit të Paqes”, të bashkëshoqëruara me deklarata kërcënuese ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të disa vendeve të tjera gjatë fillimit të këtij viti, si dhe tërheqja e Shteteve të Bashkuara nga 31 organizata ndërkombëtare të sistemit të Kombeve të Bashkuara, dëshmojnë fare qartë synimin për të rimodeluar rendin ndërkombëtar ose për t’ua përshtatur atë interesave amerikane.

Është e natyrshme që rendi ndërkombëtar i pas Luftës së Dytë Botërore apo edhe i pas Luftës së Ftohtë nuk mund të qëndrojë statik, ai ka reflektuar dhe do të ndikohet nga dinamika e zhvillimeve të gjithanshme ndërkombëtare. Rendi ndërkombëtar është një investim kolektiv shumëvjeçar i aktorëve kryesorë ndërkombëtarë dhe si i tillë ai ka një arkitekturë institucionale shumëdimensionale. Ndryshimi i tij nuk mund të imponohet në mënyrë të njëanshme dhe as në rrugë “revolucionare”. Ai mund të bëhet hap pas hapi e përmes një vendimmarrjeje multilaterale. Në botë sot ka shumë konflikte potenciale të fjetura e të ngrira, çështje të pazgjidhura kombëtare, por edhe pretendime territoriale dypalëshe apo ndaj të tretëve. Ato nuk zgjidhen përmes forcës sepse do të kishin një efekt domino në rajone e vende të ndryshme të botës.

Rendi ndërkombëtar është ndërtuar dhe ka funksionuar mbi bazën e disa parimeve që qëndrojnë në themel të tij dhe që formësojnë korpusin e së drejtës ndërkombëtare. Respektimi i tyre, qoftë edhe jo i përkryer si ruajtja e sovranitetit kombëtar dhe integritetit territorial, mosndërhyrja në punët e brendshme dhe zgjidhja e mosmarrëveshjeve në rrugë paqësore ka shmangur përplasje të mëdha e në përmasa botërore.

Aktorët e mëdhenj të politikës ndërkombëtare, por edhe ata të mesëm kanë të përpunuara strategjitë e tyre për rendin ndërkombëtar, të cilat kanë në qendër të tyre mbrojtjen e interesave kombëtare sipas perceptimeve tradicionale historike, por edhe të qasjeve moderne e aktuale të diktuara nga zhvillimet rajonale e ndërkombëtare. Kjo çështje mori një dinamikë të re me administratën e dytë të Presidentit Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Strategjia e administratave amerikane gjithnjë është ndërtuar në formën e rrathëve koncentrikë, ku investimet dhe influenca kanë qenë në varësi të rrezes së largësisë nga qendra, por ndonjëherë edhe me përjashtime të motivuara nga konfrontimet politike dhe ideologjike të Luftës së Ftohtë. Diferencat kryesore në mes strategjive të administratave republikane e demokrate kanë qenë më tepër në metodat e mjetet e përdorura se sa në objektiva e interesa. Të parat kanë përdorur më tepër forcën dhe ndërhyrjen e hapur, ndërsa të dytat në përgjithësi më shumë kanë qenë të prirura drejtë “fuqisë së butë” e përdorimit të instrumenteve të demokracisë liberale.

Strategjia e re e Sigurisë Kombëtare e administratës republikane të Presidentit Trump shënon një ndryshim thelbësor në politikën ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara. Objektivi i saj i përmbledhur në dy fjalë është: “America first”, që do të thotë ruajtja dhe forcimi i hegjemonisë amerikane në ekonomi, teknologji e në fuqinë ushtarake. E bashkëshoqëruar me platformën e saposhpallur të “Bordit të Paqes”, Strategjia e re amerikane i zhvendos Shtetet e Bashkuara nga rendi ndërkombëtar i mbështetur në institucionet multilaterale drejt një modeli të ri me më pak angazhime globale e përqendrim në konkurrencën që garanton më tepër siguri e lidership në të gjitha fushat.

Në kushtet aktuale strategjia e re amerikane është hartuar me logjikën e biznesit për të ulur peshën ekonomike dhe ushtarake të angazhimit për çështje e rajone që nuk shihen si prioritare dhe për t’u orientuar e përqendruar atje ku janë në lojë interesa e përfitime më të mëdha. Në funksion të saj Shtetet e Bashkuara po e zhvendosin boshtin e strategjisë së tyre nga euro-atlantizmi, po tërhiqen nga përparësia e marrëdhënieve të tyre me Europën, po ripërcaktojnë kontributet financiare dhe ato të sigurisë me aleatët në gjirin e NATO-s dhe po tentojnë të mbyllin luftën katër vjeçare ruso-ukrainase.

Në vizionin strategjik të administratës së Presidentit Trump për rishikimin e rendit ndërkombëtar e lidhur me të edhe të lidershipit amerikan ridolën në skenë doktrina e projekte të vjetra. Jo rastësisht u ringjall “Doktrina Monroe” e fillimit të shekullit XIX, e cila parashoqëroi ndërhyrjen ushtarake në Venezuelë dhe deklaratat kërcënuese në adresë të vendeve të tjera të Amerikës Latine, si Meksika, Kolumbia, Kuba, etj.. Po me të njëjtën logjikë duhen parë deklaratat e Presidentit Trump në adresë të Kanadasë për t’u integruar si shtet brenda Federatës amerikane apo edhe më tej akoma ato për pushtimin e Greenlandës.

Ka një interes të shtuar të administratës aktuale amerikane përtej angazhimit tradicional të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme. Kjo u shfaq me shumë qartësi në mbështetjen e Izraelit në luftën në Gaza për të eliminuar organizatën terroriste Hamas e për të liruar pengjet izraelite, në goditjet për të asgjësuar organizata të tjera terroriste në Liban, Siri, Jemen, etj.. Por mbi të gjitha kjo politikë e re e ndërhyrjes ushtarake amerikane u manifestua në bombardimet intensive të infrastrukturës bërthamore të Iranit në fund të verës së kaluar dhe në presionet e mëdha që u janë bërë e po u bëhen autoriteteve të regjimit të Teheranit për të diktuar një marrëveshje jo vetëm për të ndaluar ambicien bërthamore të tij, por edhe për ta bërë më pak kërcënues për interesat amerikane e të aleatëve të tij në rajon.

Është e njohur se aktualisht vëmendja parësore e strategjisë amerikane është e përqendruar në rajonin e Indo-Paqësorit në të cilin Kina vlerësohet si një konkurrent strategjik/sistemik. Objektivi është frenimi i saj, kufizimi i rritjes ekonomike, teknologjike dhe ushtarake si dhe të ndikimit të saj në botë e veçanërisht në Jugun Global.

Kina është një fuqi me dimension global, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe me peshë të rëndësishme në të gjithë sistemin e organizatave kryesore ndërkombëtare. Si e tillë ajo është shumë e ndjeshme ndaj zhvillimeve ndërkombëtare, përfshirë edhe ato më të fundit në Venezuelë, në Lindjen e Mesme e në Iran. Statusi i saj si fuqi e madhe dhe me interesa të gjëra strategjike e në një kohë kur rendi ndërkombëtar është në krizë i ka legjitimuar një rol aktiv në përpjekjet për ta reformuar atë dhe për të gjetur ekuilibra të rinj e funksionalë për të përballuar sfidat e botës bashkëkohore.

Kina ka vizionin e saj për rendin ndërkombëtar të bërë të njohur si Nisma e “Qeverisjes Globale”, e cila është një alternativë ndaj modeleve të tjera ekzistuese që janë në qarkullim. Kjo platformë ka karakteristika kineze, ka elementë origjinalë që puqen me ide e pikëpamje të strategjive të tjera, por që edhe dallojnë mes tyre.

Qeverisja Globale e vendos sovranitetin shtetëror në qendër të rendit ndërkombëtar dhe mbron parimin se çdo shtet ka të drejtë të zgjedh sistemin e tij politik dhe rrugën e zhvillimit. Sipas saj, Kina nuk synon rrëzimin e rendit ekzistues ndërkombëtar, por ripërcaktimin, transformimin gradual të tij drejt një rendi multipolar, krijimi i një bote me shumë qendra pushteti, gjithëpërfshirëse e bashkëpunuese, pa rol hegjemon të ndonjë fuqie dhe që reflekton realitetet e reja të fuqisë.

Në qasjen kineze zhvillimi ekonomik shihet si kusht thelbësor për stabilitet, siguri e paqe ndërkombëtare. Për zbatimin e saj ajo ofron instrumente konkrete si nisma “Një brez, Një rrugë” e konceptuar si platformë infrastrukturore dhe zhvillimore globale, krijimin e institucioneve alternative financiare, si Banka Aziatike e Investimeve në Infrastrukturë si dhe iniciativa tematike globale si ato për Zhvillimin Global, Sigurinë Globale dhe Qytetërimet Globale.

Vizionit kinez për rendin ndërkombëtar i afrohet edhe platforma e Rusisë rreth tij. Të dyja vendet kanë qëndrime të përbashkëta që kundërshtojnë hegjemoninë amerikane në rendin aktual ndërkombëtar, mbivlerësimin e forcës në dëm të respektimit të ligjit ndërkombëtar, të paprekshmërisë të sovranitetit të shteteve, të mos ndërhyrjes në punët e brendshme, në të drejtën e çdo vendi për të zgjedhur rrugën e tij të zhvillimit dhe të barazisë ndërkombëtare juridike. Si Kina dhe Rusia kërkojnë një rend multilateral ku të ekzistojnë qendra të shumta fuqie dhe një ekuilibër shtetesh sovrane me interesa të barabarta, ku institucionet ndërkombëtare aktuale e veçanërisht OKB-ja të mbeten qendrore, por të reflektojnë realitetet e reja të fuqisë dhe përfaqësimin e vendeve të Jugut Global. Vizionet ruse dhe kineze për rendin ndërkombëtar përfaqësojnë një konvergjencë taktike, por jo identitet normativ të plotë.Midis tyre ka dallime në lidhje me dimensionin normativ të rendit ndërkombëtar, të raportit me sovranitetin, multilateralizmin, zhvillimin dhe qasjen për daljen nga kriza.

Një aktor tjetër kryesor ndërkombëtar krahas Shteteve të Bashkuara, Kinës e Rusisë është edhe Bashkimi Europian. Ai ka një vizion tjetër, të ndryshëm nga të parat, por edhe me elementë të përbashkët. Në qendër të tij qëndrojnë tri koncepte kryesore: multilateralizmi efektiv, fuqia normative dhe autonomia strategjike.

BE pranon se rendi liberal ndërkombëtar sot është në krizë, por nuk hedh poshtë atë dhe kërkon reformimin e tij. Ai është kundër unilateralizmit (hegjemonisë) amerikan, por refuzon edhe alternativat zëvendësuese të tij. Multilateralizmi efektiv europian nënkupton forcimin e OKB-së dhe jo zëvendësimin e saj me alternativa të tjera, siç është përmendur së fundi edhe “Bordi i Paqes”, përfaqësim më të drejtë të Jugut Global, konsolidimin dhe respektimin e të drejtës ndërkombëtare, institucione funksionale dhe legjitime si dhe zgjidhje kolektive të krizave globale.

BE e koncepton rendin ndërkombëtar si një sistem normash juridike, marrëveshjesh ndërkombëtare dhe institucione të përbashkëta. Ai është për universalizëm të moderuar, për rend të bazuar në rregulla që shërbejnë si burim legjitimiteti dhe jo si instrument fuqie. Kjo e bën BE-në një aktor normativ dhe jo revolucionar.

Roli i Bashkimit Evropian për të ardhmen e rendit ndërkombëtar është i lidhur ngushtë me autonominë e tij strategjike. Dobësitë e tij të njohura si mungesa e kohezionit politik, kapacitetet e kufizuara ushtarake, varësia strategjike nga Shtetet e Bashkuara dhe ndikimi i tij i kufizuar në krizat e forta gjeopolitike, i kanë vënë në dyshim aftësitë e tij për t’a thënë me zë të fortë alternativën e tij në punët botërore.

Ballafaqimi me zhvillimet më të fundit ndërkombëtare si lufta në Ukrainë, konfliktet në Gaza, rritja e tensioneve në Lindjen e Mesme dhe në Iran, ndërhyrja amerikane në Venezuelë dhe gjuha e presionit të hapur ndaj territorit europian të Greenlandës e disa vendeve të tjera amerikano-latine nga presidenti Trump duket se i shkundën vendet europiane të BEsë e të NATO-s për të menduar e vepruar në mënyrë kritike dhe strategjike.

Deklaratat e udhëheqësve europianë të kohëve të fundit për ndërtimin e një “Europe të re të pavarur”, financimet e mëdha në fushën e mbrojtjes, solidariteti aktiv i një pjese të tyre ndaj një armëpushimi e paqeje në konfliktin Rusi-Ukrainë e për çështjen e Greenlandës, marrëveshjet e rëndësishme tregtare të nënshkruara me MERKOSUR në Amerikën Latine dhe me Indinë si dhe takimet e nivelit të lartë të disa prej tyre në Kinë, dëshmojnë për sinjale të një dimensioni në rritje të politikës globale europiane.

Në konkurrencën strategjike të aktorëve të mëdhenj ndërkombëtarë një rol të rëndësishëm luajnë edhe vendet që konsiderohen fuqi të mesme. Ndër to India është shteti në tranzicion drejt një fuqie të madhe, e cila ka një koncept të saj për rendin ndërkombëtar, që ka pika takimi por edhe dallime nga platformat e tjera për këtë çështje. Qasja institucionale zyrtare e Indisë për rendin ndërkombëtar është një kombinim i multilateralizmit reformues, i autonomisë strategjike që refuzon pjesëmarrje në aleanca ushtarake apo dominimin nga një fuqi e vetme. Ajo është për partneritete të shpërndara në përputhje me interesat kombëtare dhe interesat tematike si një mundësi për zgjerimin e saj global. Për Indinë çështje të tilla si klima, siguria, migracioni, tregtia e teknologjia janë globale, të ndërvarura dhe të lidhura që kërkojnë zgjidhje kolektive. Ajo është për një rend ndërkombëtar të bazuar në rregulla më gjithëpërfshirës dhe që reflekton realitetet e shekullit XXI.

Ka mjaft vende të tjera që mbështetur në tri grupe kriteresh (materiale, funksionale dhe normative) klasifikohen si fuqi të mesme në botë siç janë veç e veç shtetet më të mëdha të Bashkimit Europian, Turqia, Kanadaja, Meksika, Brazili, Japonia, Indonezia, Australia, Koreja e Jugut, Irani, Arabia Saudite, etj. Disa prej tyre cilësohen fuqi të mesme “klasike”, të tjera fuqi të mesme “në rritje” dhe grupi europian në kornizën e BE-së si fuqi të mesme normative/institucionale. Ato nuk janë aktorë periferikë por shtylla funksionale të rendit ndërkombëtar bashkëkohor, stabilizues të tij, mbështetës të institucioneve multilaterale, kufizues të hegjemonisë së një fuqie të vetme, ndërmjetësues në konflikte rajonale, lehtësues në dialogun mes fuqive të mëdha por edhe bartës të autonomisë strategjike.

Në Formimin Ekonomik të Davosit në muajin janar, kryeministri i njërit prej këtyre vendeve, i Kanadasë, Mark Carney u duk si zëdhënës i shumicës së tyre kur ai mbajti fjalimin programatik të qeverisë së tij për rendin aktual ndërkombëtar. Ai konstatoi se këtij rendi të bazuar në rregulla i ka ardhur fundi, se bota sot karakterizohet nga një konkurrencë e thellë ndërmjet fuqive të mëdha, bëri thirrje për bashkëpunim mes fuqive të mesme për të krijuar “një rrugë të tretë”, dhe për të ndërtuar koalicione pragmatiste e funksionale e jo vetëm aleanca të ngurta bazuar në një fuqi të vetme.

Vizionet konkurruese apo plotësuese që u morën në analizë tregojnë se rendi i ardhshëm ndërkombëtar nuk do të jetë as unik dhe as universal, por një bashkëjetesë konkurruese e modeleve të ndryshme, një sistem multipolar pluralist.

Advertisement
Advertisement
Advertisement