Kryediplomati i Italisë, Antonio Tajani, ka paralajmëruar një vizitë në Beograd më 1 prill. Në kryeqytetin serb, Tajani s’do të shkojë vetëm. Për të përçuar një mesazh shqetësimi, ai do të shkojë me homologun e tij gjerman, Johann Ëadephul.
“Më 3 mars, ne do të organizojmë takimin e Miqve të Ballkanit në Romë. Më 1 prill, ne do të jemi në Beograd me Ministrin gjerman Ëadephul për t’i dërguar një sinjal shqetësimi tonë Serbisë. Ne do ta mbështesim Ukrainën, e cila duhet të gjejë një rrugë përpara”, tha ai, siç raporton gazeta italiane “Corriere della Sera”, transmeton Gazeta Express.
Këtë koment Tajani e bëri derisa po fliste për anëtarësimet në Bashkimin Europian. Këtu ai i dha mbështetje Ballkanit Perëndimor dhe tha se është pro hyrjes së tij në BE përpara Ukrainës.
“Ne e mbështesim pranimin e Ukrainës, por Ballkani është i pari. Ne kemi një angazhim ndaj tyre dhe ata janë një përparësi për ne”, tha ai.
Tajani foli edhe për paqen në Europë dhe duke iu referuar Shteteve të Bashkuara, ai tha se duhet bërë gjithçka “për të mbajtur të bashkuara dy anët e Perëndimit, të cilat janë gjithashtu dy shtyllat e NATO-s”.
“Marrëdhëniet transatlantike janë themelore; ato gjithmonë kanë qenë, pavarësisht se kush është president i Shteteve të Bashkuara. Ne duhet të përqendrohemi në dialog me kokën lart”.
“Për të mbrojtur paqen, ne duhet të adresojmë çështjen e mbrojtjes sepse sa më shumë që Europa është në gjendje të garantojë sigurinë e saj, aq më pak rrezik ka një konflikt të mundshëm. Mbrojtja duhet të forcohet nga një perspektivë e NATO-s”, tha ai. /Express/