Francis Bacon (1561 –1626), filozof dhe burrështatas anglez. Bacon mbështeste rëndësinë e filozofisë natyrore, të udhëhequr nga metoda shkencore dhe vepra e tij ka pasur ndikim të madh në Revolucionin shkencor
RRETH HAKMARRJES
Nga Francis Bacon
Hakmarrja është një lloj i drejtësisë së egër; sa më shumë që natyra e njeriut ngarend ta bëjë, aq më shumë duhet ta çrrënjosë ligji. Se, sa i përket gabimit të parë, nuk është tjetër veçse ofendim i ligjit; por hakmarrja ndaj atij gabimi e nxjerr ligjin jashtë lojës.
Sigurisht, kur njeriu hakmerret është i barabartë me armikun e tij; por nëse e tejkalon atë, atëherë ai është superior ndaj tij; sepse princit i përket të falë. Dhe Solomoni, jam i sigurt, ka thënë, është e lavdishme për njeriun të tejkalojë ofendimin që i është bërë. Ajo që është e kaluar ka ikur dhe është e pakthyeshme; e njeriu i mençur ka mjaft gjëra për të bërë, me gjërat e së tashmes dhe me ato që do të vijnë tekrar; prandaj vetëm sa e bën veten qesharak nëse mban mendjen tek ato gjëra të kaluara. Nuk ka njeri që bën diçka gabim për hir të gabimit; por për të pasur një përfitim për veten, ose kënaqësi, ose nder, ose gjëra të ngjashme. Andaj pse duhet të zemërohem unë me një njeri që e do veten më shumë se sa mua? Dhe nëse secili njeri do të duhej të bënte diçka gabim, kryesisht shkaku i natyrës së tij të keqe, hm prapë është si gjëmbi ose kaça, që therin dhe gërvishtin, ngase kjo është ajo që bëjnë.
Lloji deri diku më i durueshëm i hakmarrjes është për ato gabime për të cilat nuk ka ligj që t’u bëjë derman; por të ketë vëmendjen atëherë ai njeri, hakmarrja le të jetë e tillë që të mos ketë ligj që ta dënojë; përndryshe armiku i atij njeriu është ende para nesh dhe janë dy për një.
Disa, kur hakmerren, janë të dëshirueshëm, pala tjetër duhet të dijë se prej nga vjen. Kjo është më bujarja. Ngaqë kënaqësia duket të jetë jo aq te lëndimi sa te detyrimi i asaj pale të pendohet. Por frikacakët e poshtër dhe tinëzarë janë si shigjeta që vërtitet në terr. Cosmus, duka i Firencës, kishte një thënie të dëshpëruar kundër miqve perfidë ose neglizhues, thua se e meta e tyre ishte e pafalshme; Do të lexoni (thotë ai) se ne jemi të urdhëruar të falim armiqtë tonë; por askund nuk lexojmë se duhet të falim miqtë tonë. Porse shpirti i Jobit ishte në një harmoni më të ëmbël: A duhet (thotë ai) të marrim të mirën nga dora e Zotit dhe të mos jemi të kënaqur të marrim edhe të keqen? Kështu edhe me miqtë, në përpjesëtim. Një gjë është e sigurt, njeriu që studion hakmarrjen i mban të gjalla plagët e veta, të cilat përndryshe do të mbylleshin dhe do të përthaheshin. Halmarrjet publike janë për pjesën më të madhe fatlume; si për vdekjen e Çezarit, për vdekjen e Pertinaksit; për vdekjen e Henrit III të Francës e disa të tjera. Por në hakmarrjet private nuk është ashtu. Përkundër, njerëzit hakmarrës bëjnë jetë shtrigash; të cilat, duke qenë të liga, në fund janë të pafata.
/The Essays of Francis Bacon, Penguin, 1986
/Përkthimi Gazeta Express