Ditari i javës/ Kafka: 4-5 nëntor 1912 - Gazeta Express
string(36) "ditari-i-javes-kafka-4-5-nentor-1912"

Arte

Gazeta Express

06/02/2026 15:19

Ditari i javës/ Kafka: 4-5 nëntor 1912

Arte

Gazeta Express

06/02/2026 15:19

Ditarët e Franza Kafkës (1883-1924) janë mbajtur nga viti 1910 deri më 1923

4.11.1912

Leximin para motrave të mia e shijoj aq shumë vetëm si rezultat i kotësisë sime (se sot për shembull u bë tepër vonë për të shkruar). Jo që jam i bindur se do të arrij ndonjë gjë domethënëse në atë lexim, më tepër jam i mbizotëruar vetëm nga lakmia të ngjitem aq afër veprave të mira që i lexoj sa shkrihem në to, jo me anë të meritës sime, por vetëm në vëmendjen e motrave të mia dëgjuese, që ekzaltohen nga ajo që lexoj dhe s’e çajnë kokën për atë që është jothelbësore, prandaj nën efektin fshehës të kotësisë po ashtu marr pjesë si shkak në tërë ndikimin që vepra në vete ka ushtruar. Kjo është arsyeja pse unë në të vërtetë iu lexoj me admirim motrave të mia, duke njomur shumë theksa me atë që unë e ndiej si një saktësi të skjashme, ngase paskëtaj jam shpërblehem së tepërmi jo vetëm nga vetja ime, por edhe nga motrat e mia. Por nëse u lexoj Brodit, ose Baumit, ose të tjerëve, leximi im me gjasë i duket tmerrësisht i keq secilit për shkak të pretendimeve të mia që të çmoj vetëm, edh enëse ata nuk dinë asgjë rreth cilësisë së leximeve të mia të tjera, se këtu unë e kuptoj se dëgjuesit e mbajnë distancën mes meje dhe asaj që lexoj, nuk më lejohet të lidhem plotësisht me atë që lexohet pa, sipas ndjenjës sime, atë që nuk mund të presë mbështetje nga dëgjuesi, duke u bërë qesharake, me zërin tim unë fluturoj rreth asaj që do të lexohet, përpiqem të futem këtej e andej, ngase njëri do këtë, por nuk e ka mendjen aty seriozisht, ngase njëri nuk e pret këtë prej meje fare; por çka njëri do përnjëmend, të lexoj qetësisht dhe shkoqur pa mburrje dhe të pasionohem vetëm atëherë kur të ma kërkojë atë pasioni im, kjo është më e shumta që mund të mbarështoj; megjithëse mendoj se jam pajtuar me këtë dhe kështu kënaq veten time duke lexuar keq para çdonjërit, përveç motrave të mia, mburrja ime, që kësaj here nuk do të ketë asnjë të drejtë, ende shfaqet në këtë. Ndihem i lënduar kur dikush gjen të meta në diçka që është lexuar, skuqem dhe dua të lexoj rrëmbimshëm, ashtu siç sfrocohem në përgjithësi, posa të kem nisur të lexoj, të lexoj pafundësisht në përmallimin e pavetëdijshëm se në rrjedhën e leximit të gjatë ndjenja e kotë e rreme e bashkimit me atë që është lexuar në fund do të lindë në mua, duke harruar se kurrë nuk do të kem fuqi të mjaftueshme momentale të kem efekt përmes ndjenjës sime mbi vizionin e pastër të përgjithshëm të dëgjuesit dhe se në shtëpi janë përherë motrat e mia atë që e fillojnë mishmashin e dëshiruar. 

5.11.1912

Për dy ditë kam detektuar tek vetja ftohtësinë dhe indiferencën kur dua t’i kem. Dje mbrëma gjatë ecjes çdo zhurmë e vockël, çdo shikim drejtuar kah unë, çdo fotografi në vitrinë ishte më e rëndësishme për mua se sa që isha unë. (…)

Kur njeriu mendon të ketë marrë vendimin final që të qëndrojë në shtëpi1 gjatë mbrëmjes, ka veshur penuarin, është ulur pas darkës në tavolinën e ndriçuar dhe i përvishet sërish asaj pune a loje pas përfundimit të së cilës rëndom shkon të flejë, kur jashtë mban mot i ashpër, që e bën të rrijë në shtëpi natyrshëm, kur ka qenë duke qëndruar aq gjatë në tavolinë sa dalja jashtë tash do të ishte shkak jo vetëm i zemërimit atëror, por edhe do të shkaktonte një habi të përgjithshme, kur, veç kësaj, shkallët tash janë të padukshme dhe dera e hyrjes e kyçur dhe kur pavarësisht të gjitha këtyre qëndron në këmbë pa i zënë vendi vend, e ndërron pallton, menjëherë duket i veshur për të dalë në rrugë, deklaron se duhet të dalë jashtë dhe e bën këtë pas një lamtumire të shkurtër, beson se po lë pas vetes edhe më tepër ose më pak zemërim varësisht nga shpejtësia me të cilën e përplas derën e apartamentit, andaj e pret në gjysmë muhabetin e përgjithshëm të nisjes, kur e gjen veten në rrugë me gjymtyrët që e kërkojnë këtë liri bukur të papritur që ua ka siguruar duke lëvizur me shkathtësi të veçantë, kur ndien të gjitha vendosmëritë i eksituar në vete nga ky vendim i vetëm, kur e njeh me një domethënie më të madhe se zakonisht se ka më shumë fuqi se sa që ka nevojë që lehtësisht të çojë përpara dhe të durojë ndryshimet më të shpejta, se i lënë rehat me veten e tij ai kupton më shumë dhe është më i qetë, madje i shijon edhe më shumë, atëherë për këtë mbrëmje ai largohet nga famija e tij në mënyrë aq të plotë sa nuk mund ta arrijë këtë në masën më të madhe duke ndërmarrë udhëtimet më të largëta dhe ka pasur një përvojë që, ngase vetmia e tij është ekstreme për Evropën, mund të quhet vetëm ruse. Bëhet edhe më e fortë kur e thërret ndonjë mik në këtë orë të mbrëmjes për të parë si po ia kalon.

Ftova Weltsch-in të vijë në mbrëmjen bamirëse të Frau Klug-ut2.

Löwy me kokëdhimbje të rëndë, që me gjasë është tregues i një problemi të madh të kokës, ishte mbështetur për murit të një shtëpie në rrugë ku kishte qenë duke më pritur, me dorën e djathtë në ballë, i dëshpëruar. I bëra shenjë Weltsch-it, që nxori kokën në dritare nga divani. Mendoj se kjo ishte hera e parë jetën time që vëzhgoja nga dritarja duke e marrë kaq lehtë një incident që më përkiste fort andej tej në rrugë. Në vetveten një vrojtim i tillë më është familjar nga Sherlock Holmes-i.

Shënime: 

I futur nga Kafka nën titullnin “Der plötzliche Spaziergang” (“Shëtitja e papritur”) në librin e tij Betrachtung, botuar në dhjetor të vitit 1912. Blloku I shënimeve i Kafkës përmban këtë shënim: fatkeqësia e të qëndruarit në shtëpi.

The Prager Tagblatt i datës 5 janar 1912 paralajmëronte “performancen e madhe bamirëse të subretës popullore Frau Flora Klug,” bashkë me performancen e Der Vicekönig, për atë mbrëmje në Café Savoy.

/The Diaries of Franz Kafka, Schocken Books, 2023

/Përkthimi Gazeta Express

Advertisement
Advertisement
Advertisement