Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e shtetasit kosovar Mitehat Llozhani nga autoritetet serbe. MPJ përmes një komunikate për media ka kërkuar angazhim ndërkombëtar lidhur me këtë rast.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës njofton se, menjëherë pas marrjes së informacionit lidhur me arrestimin e shtetasit të Republikës së Kosovës, Mitehat Llozhani, i cili u ndalua me të hyrë në Serbi, në pikën kufitare Batrovci, në kufi me Kroacinë, janë ndërmarrë të gjitha veprimet institucionale”, thuhet në njoftim.
MPJ në njoftim ka treguar se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka adresuar një kërkesë zyrtare pranë Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, përmes së cilës ka kërkuar konfirmimin e arrestimit, sqarimin e arsyeve konkrete të ndalimit, si dhe çdo të dhënë tjetër relevante për trajtimin e mëtejmë të rastit.
Po ashtu, MPJ ka konfirmuar se Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka njoftuar për rastin Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, si dhe ka dërguar nota verbale pranë misioneve diplomatike të vendeve të Quint-it të akredituara në Serbi, me qëllim sigurimin e angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë në mbrojtje të të drejtave dhe sigurisë së shtetasit të Republikës së Kosovës.
“Ambasadori i Republikës së Kosovës në Serbi, z. Jetish Jashari është në kontakt të vazhdueshëm me familjen e të arrestuarit dhe përmes Zyrës Ndërlidhëse do të procedojë me paraqitjen e kërkesës zyrtare për lejimin e vizitës ndaj shtetasit Llozhani”, njofton MPJ.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes njoftimit i ka thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të rrisë presionin ndaj autoriteteve të Serbisë, pasi po vazhdohet praktika e arrestimeve të shtetasve kosovarë.