Prokuroria e Bosnjës dhe Hercegovinës ka ngritur aktakuzë ndaj Dario Ristiçit, një vullnetari nga BiH që shkoi në Ukrainë për të luftuar në radhët e ushtrisë ruse, raporton Radio Slobodna Evropa. Aktakuza është dërguar për konfirmim në Gjykatën e Bosnjës dhe Hercegovinës.
Ristiç u arrestua në shtator të vitit të kaluar në aeroportin e Sarajevës gjatë kthimit në vend. Ai qëndroi në paraburgim për një muaj, ndërsa që nga tetori ndodhet në arrest shtëpiak.
Ai kishte lënë Bosnjën më 17 nëntor 2023 dhe përmes Turqisë kishte mbërritur në Rusi, ku luftoi në formacionin ushtarak “Permski medvjedi” deri sa u plagos në front. Gjatë përleshjeve në rajonin e Donjeckut me forcat ukrainase, Ristiç humbi njërën këmbë dhe më pas mori shtetësinë ruse.
Pas dy vitesh në Rusi, ai vendosi të kthehej në Bosnjë, pavarësisht se agjencitë e sigurisë e identifikuan si person që kishte marrë pjesë në një konflikt të huaj.
Sipas raportimeve, Ristiç kishte kërcënuar shpesh me destabilizim të Bosnjës, duke aluduar në kthimin e të gjithë vullnetarëve serbë pas përfundimit të luftës në Ukrainë.