Komisioni Evropian zbuloi se TikTok nuk ka kufizuar mjaftueshëm veçoritë e tij që krijojnë varësi, si “lëvizja pafund” e përmbajtjes, e cila inkurajon sjellje kompulsive tek përdoruesit.
Në gjetjet paraprake të publikuara të premten, Komisioni tha se dizajni i TikTok shkel Aktin e Shërbimeve Dixhitale të Evropës (DSA) dhe nuk arrin të mbrojë përdoruesit në mënyrë adekuate.
“Aplikacioni mbështetet në veçori që e vendosin trurin e përdoruesve në ‘autopilot’, duke i nxitur të hapin dhe shfletojnë aplikacionin vazhdimisht,” tha Komisioni. Ky shqetësim pasqyron presionin në rritje mbi platformat e mediave sociale lidhur me kohën që fëmijët dhe adoleshentët kalojnë para ekranit.
TikTok dhe veçoritë që nxisin varësinë
Komisioni vuri në dukje veçorinë “Koha e përditshme para ekranit”, që lejon përdoruesit të vendosin një limit kohor dhe të marrin njoftime kur e arrijnë atë. Për përdoruesit 13–17 vjeç, afati vendoset automatikisht në një orë. Megjithatë, rregullatorët thanë se këto njoftime janë “të lehta për t’u shpërfillur” dhe nuk janë efektive.
Kontrollet prindërore përmes mjetit “Family Pairing”, që lejojnë prindërit të caktojnë kufij, të marrin raporte aktiviteti dhe të filtruar fjalë ose hashtagje, gjithashtu nuk po funksionojnë siç duhet. “Këto kufizime kërkojnë kohë dhe aftësi shtesë nga prindërit për t’u vendosur,” tha Komisioni.
Për të përmbushur DSA-në, TikTok duhet të “ndryshojë modelin bazë të shërbimit të tij”, përfshirë çaktivizimin e lëvizjes pafund, ndërprerje më efektive të kohës para ekranit dhe ndryshime në rekomandimet e videove.
Reagimi i TikTok
Në një email për Euronews Next, TikTok e quajti raportin paraprak “të rremë dhe të pavlerë” dhe tha se do të sfidojë gjetjet me të gjitha mjetet e saj. Kompania theksoi se nuk ka një qasje të vetme për të rregulluar kohën para ekranit, prandaj ofron mjete të ndryshme për të ndihmuar përdoruesit të vendosin vetë.
TikTok gjithashtu përmendi veçori si orët e gjumit dhe “misionet e mirëqenies”, që nxisin përdoruesit të ndalojnë shfletimin dhe shpërblime për respektimin e kufijve të vendosur.
Çfarë ndodh më tej?
Hetimi, i nisur në vitin 2024, shqyrton nëse TikTok respekton DSA-në, ligjin e BE-së që përcakton detyrimet e platformave online për menaxhimin e rreziqeve, moderimin e përmbajtjes dhe promovimin e transparencës.
Gjetjet janë paraprake, që do të thotë se ende nuk ka gjoba apo penalizime. TikTok ka të drejtë të përgjigjet me shkrim dhe të propozojë zgjidhje, ndërsa Komisioni do të konsultohet me Bordin Evropian për Shërbime Dixhitale.
Në fund të procesit, një vendim për mosrespektim mund të shoqërohet me një gjobë deri në 6% të xhiros vjetore globale të TikTok.