Ministria e brendshme në Maqedoni ka zhvilluar një aksion në të cilin janë konfiskuar 27 tonë marihuanë, të lidhura me një rast të mëparshëm kontrabande drejt Serbisë.
Hetimi është fokusuar në keqpërdorimin e licencave për kanabis mjekësor nga kompania “Alfafarm”, duke hapur çështjen e mangësive sistemike në kontrollin e këtij sektori biznesi.
Operacioni rezultoi me sekuestrimin e gjithsej rreth 27 tonëve marihuanë. Aktivitetet u përqendruan në dy lokacione kyçe: në Shkup, në rrethin e ish-fabrikës OHIS, ku u gjetën rreth 10 tonë drogë të magazinuara në objekte të një firme private, dhe në rajonin e Strumicës, ku në një aksion paralel u konfiskuan edhe 18 tonë të tjera marihuanë.
Ky aksion i koordinuar përfshiu dhjetëra automjete policore, kamionë dhe njësi speciale; në terren mbështetje logjistike ofroi edhe Drejtoria e Doganave, ndërsa ekipe mjekësore ishin të pranishme për asistencë gjatë përpunimit të materialeve.
Në qendër të hetimit është kompania “Alfafarm” SHPK Shkup, kompani e regjistruar në vitin 2023 me kapital themeltar prej rreth 529.000 eurosh. Megjithëse firma posedonte licencë për kultivimin dhe përpunimin e bimëve për përdorim farmaceutik, të lëshuar në vitin 2024, hetuesit dyshojnë se sasi të mëdha të prodhimit kanë përfunduar në tregun e zi, në vend që të shpërndaheshin përmes kanaleve legale mjekësore. Analiza e të dhënave nga Regjistri Qendror tregon ndryshime të dyshimta në strukturën pronësore të Alfafarm vetëm disa ditë para zbulimit të dërgesave ilegale në Serbinë fqinje.
Më 29 janar 2026, pranë fshatit Konjuh afër Krushevcit në Serbi, u konfiskuan 5 tonë marihuanë me vlerë të vlerësuar mes 7 dhe 10 milionë eurosh. Droga ishte transportuar nën maskën e eksportit të kastravecëve (kornishonëve), ndërsa mes të arrestuarve në Serbi ndodhet edhe një nga pronarët e Alfafarm SHPK Shkup. Autoritetet dhe mediat serbe në Beograd konfirmuan se dërgesa kishte origjinë nga territori i Maqedonisë, çka nxiti një shkëmbim intensiv informacioni mes dy shteteve përmes Prokurorisë. Ky kanal tranziti kishte qenë objekt i një hetimi disa mujor, i cili kulmoi me zbulimin e magazinave në Shkup dhe Strumicë.
tag_katrorimaqedoni_2