Avokati i Popullit e ka konfirmuar për Portalb se kanë hapur procedurë lidhur me provimin e jurisprudencës i cili nuk ofrohet në gjuhën shqipe, por vetëm në maqedonisht. Ndonëse nuk ka të dorëzuar ndonjë nismë konkrete deri te Zyra e Avokatit të Popullit, Faton Selami ftoi qytetarët të cilëve u është shkelur kjo e drejtë që të njëjtën ta paraqesin, përcjell Gazeta Express nga Portalb.mk.
Peticioni përmes të cilit studentët e juridikut kërkojnë që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe krahas asaj maqedonase nuk është dorëzuar zyrtarisht në Zyrën e Avokatit të Popullit.
“Çdo qytetar që konsideron se i është shkelur një e drejtë e garantuar me Kushtetutë apo ligj, ka të drejtë të iniciojë procedurë pranë Avokatit të Popullit duke paraqitur parashtresë. Megjithatë, Zyra e Avokatit të Popullit, deri më tani, nuk ka regjistruar parashtresë që lidhen drejtpërdrejt me çështjen e ngritur në pyetjen tuaj”, tha Selami për Portalb.
Me qëllim që kjo çështje të mund të hetohet në mënyrë të plotë, nga Avokati i Popullit bëjnë thirrje te të gjithë personave që kanë paraqitur kërkesë pranë Ministrisë së Drejtësisë, si organi kompetent për organizimin dhe zhvillimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, dhe të cilëve u është mohuar kjo e drejtë, që t’i drejtohen Zyrës së Avokatit të Popullit.
Megjithatë, pasi Portalb.mk e adresoi këtë çështje deri te ata, nga Zyra e Avokatit të Popullit e konfirmuan se kanë hapur lëndë për të njëjtën.
“Avokati i Popullit nuk do të kufizohet vetëm në pritjen e parashtresave individuale. Në përputhje me kompetencat e përcaktuara me Ligjin për Avokatin e Popullit, do të inicioj menjëherë procedurë me vetëiniciativë për shqyrtimin e kësaj çështjeje. Në këtë kuadër, do të realizohet një analizë e dispozitave të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, si dhe e veprimeve të Ministrisë së Drejtësisë lidhur me zbatimin e këtij ligji në organizimin dhe zhvillimin e provimit të jurisprudencës”, thanë nga Selami.
Nga aty shtuan se për gjendjen e konstatuar dhe veprimet e ndërmarra nga Avokati i Popullit publiku do të njoftohet në formë plotësuese.
Së fundmi 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete të juridikut (UT, UEJL, UNT) në Maqedoninë e Veriut përmes një peticioni kërkojnë nga institucionet që provimi i jurisprudencës të jepet edhe në gjuhën shqipe, në gjuhën në të cilën i kryejnë studimet, pasi siç thonë, u takon me ligj. Peticioni është dorëzuar te Ministra e Drejtësisë, Agjencinë për Zbatimin e Gjuhëve, Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve, kryetari i Kuvendit dhe zëvendëskryeministri i parë.

Ministria e Drejtësisë ka thënë se provimi i jurisprudencës nuk mund të mbahet në shqip sepse shërben si test për njohjen aktive të gjuhës maqedonase, e cila është kusht ligjor për ushtrimin e profesioneve juridike (gjyqtar, prokuror, avokat, noter, përmbarues).
Duke e komentuar Ligjin për përdorimin e gjuhëve, Ministria e Drejtësisë thotë se zbatimi i Ligjit për përdorimin e gjuhëve nuk mund të shqyrtohet në mënyrë të izoluar, por në korelacion me rregulloret e tjera relevante, edhe atë: me Ligjin për avokatinë, Ligjin për gjykatat, Ligjin për prokurorinë publike, Ligjin për përmbarim dhe Ligjin për noterinë, si tërësi.
“Përkatësisht, provimi i jurisprudencës është parakusht themelor për të hyrë në profesione të ndryshme në sistemin e gjyqësorit, e me këtë rast nga natyra dhe qëllimi i këtyre profesioneve buron edhe nevoja e njohjes aktive të gjuhës maqedonase si gjuhë zyrtare në tërë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut”, thanë nga Ministria e Drejtësisë.
tag_katrorimaqedoni_2