Forcat e Gardës Revolucionare të Iranit kanë avancuar në zhvillimin e raketës balistike Khorramshahr 4, me rreze veprimi 2.000 km dhe kapacitet mbajtës që mund të kalojë një ton eksplozivësh, sipas agjencisë iraniane të lajmeve Fars.
Khorramshahr 4 konsiderohet si raketa balistike më e avancuar që disponojnë forcat e armatosura iraniane.
Gjithashtu, sipas Fars, po zhvillohet një bazë e madhe, nëntokësore raketash, brenda “Komandës Hapësinore” të Gardës Revolucionare.
Teherani ka rishikuar doktrinën e tij mbrojtëse pas luftës 12-ditore me Izraelin në qershorin e kaluar, duke adoptuar një qëndrim më agresiv. Thuhet se Irani ka në dispozicion disa lloje raketash me rreze deri në 2.000 km, të afta të kërcënojnë Izraelin dhe bazat amerikane në rajonin e Gjirit Persik.
Shtetet e Bashkuara prej kohësh i kërkojnë Iranit të kufizojë rrezen e raketave të tij balistike.
Teherani ka bërë të ditur se bisedimet e nesërme me SHBA-në në Sultanatin e Omanit duhet të përqendrohen vetëm te programi bërthamor iranian, duke refuzuar çdo negociatë lidhur me programin e raketave balistike dhe kapacitetet e tij të përgjithshme mbrojtëse. /Panorama