Kryeministri britanik Keir Starmer ka ndërmarrë një sulm të ashpër ndaj ish-ambasadorit të vendit në Shtetet e Bashkuara, Peter Mandelson, në përpjekje për të zbutur zemërimin që ka shpërthyer në të gjithë spektrin politik.
Ai deklaroi se i vjen keq që u besoi “gënjeshtrave” të Mandelson përpara se ta emëronte në këtë post.
Starmer ndodhet nën presion të jashtëzakonshëm, madje edhe nga deputetë të Partisë së tij Laburiste, për vendimin që mori në vitin 2024 për të emëruar Mandelson ambasador të Britanisë në Uashington, në një kohë kur lidhjet e tij me Jeffrey Epstein, i dënuar në SHBA për krime seksuale, ishin tashmë të njohura publikisht.
Dokumente të publikuara javën e kaluar nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së përfshinin mesazhe elektronike (email) që tregonin sa e ngushtë ishte kjo marrëdhënie.
Ato sugjeronin gjithashtu se Mandelson kishte rrjedhur dokumente qeveritare te Epstein dhe se ky i fundit kishte regjistruar pagesa për Mandelson ose për partnerin e tij të atëhershëm dhe bashkëshortin aktual.
Pozita e kryeministrit në rrezik
“Ishte e njohur prej kohësh se Mandelson e njihte Epstein, por askush nga ne nuk e dinte thellësinë dhe errësirën e kësaj marrëdhënieje”, deklaroi Starmer në hapjen e një fjalimi në Hastings, në lindje të Anglisë.
Mandelson, i cili kishte shërbyer si ministër gjatë kohës kur Laburistët ishin më parë në pushtet, mbi 15 vite më parë, dha dorëheqjen të martën, më 3 shkurt, nga Dhoma e Lordëve në Parlamentin britanik për shkak të lidhjeve të tij me Epstein. Aktualisht ai ndodhet nën hetim policor për shkelje të dyshuar të detyrës gjatë mandatit të tij.
Ai ka deklaruar se nuk mban mend të ketë marrë pagesa dhe nuk ka komentuar publikisht akuzat për rrjedhje dokumentesh. Mandelson nuk iu është përgjigjur as kërkesave për koment.
Starmer e shkarkoi Mandelson nga posti në shtatorin e kaluar, por kundërshtarët e tij, si edhe zëra brenda vetë partisë, thonë se zbulimet e reja ngrenë pikëpyetje serioze mbi gjykimin e kryeministrit.
Me sondazhet që tregojnë se popullariteti i Starmer është tashmë shumë i ulët, disa brenda Partisë Laburiste thonë se pozita e tij është realisht e kërcënuar.
Kostoja e huamarrjes së Britanisë u rrit sot, mes shqetësimeve në rritje nëse qeveria do të mund t’i mbijetojë goditjes politike të kësaj çështjeje.
Përballë kritikave gjithnjë e më të forta, kryeministri britanik shfrytëzoi fjalimin e tij për ta sulmuar ashpër Mandelson, duke thënë se zbulimet e fundit ngrenë pyetje shumë serioze. Ai e akuzoi se nuk kishte hyrë në shërbimin publik për t’i shërbyer interesit të përgjithshëm.
“Më gënjeu, më gënjeu vazhdimisht, më mashtroi”, tha Starmer. “E kuptoj zemërimin dhe zhgënjimin e deputetëve laburistë për atë që ndodhi… Unë e ndaj plotësisht këtë zemërim dhe zhgënjim. Ato ishin shumë të dukshme dje. Nuk jam aspak i befasuar.”
Duke iu drejtuar viktimave të Epstein, ai tha: “Ju kërkoj falje. Më vjen keq për atë që ju ndodhi, më vjen keq që kaq shumë njerëz me pushtet ju zhgënjyen, më vjen keq që u besova gënjeshtrave të Mandelson dhe e emërova atë.”
Megjithatë, Starmer shprehu dëshirën për të qëndruar në pushtet. “Kam ndërmend të vazhdoj këtë punë të domosdoshme për vendin tonë”, tha ai.
Kryeministri shtoi se dëshiron të bëjë publike rekomandimin e sigurisë që kishte marrë në momentin kur zgjodhi Mandelson për postin e ambasadorit në Uashington, por theksoi se duhet të respektojë kërkesën e policisë për të mos ndërmarrë veprime që mund të paragjykojnë hetimin.
“Sado zhgënjyese që është kjo për mua personalisht dhe është, nuk do të bëj asnjë hap, sado politikisht joshës apo popullor të jetë, që rrezikon drejtësinë për viktimat”, përfundoi ai./Panorama.al