Analisti serb, Dushan Janjiq, po insiston që në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përgatitet një dokument për Kosovën dhe Serbinë. Ai ka thënë se këtë informacion e ka marrë nga ekspertë e politikanë atje. Por çfarë thotë, eksperti amerikan dhe profesori Daniel Serwer, për deklaratën e Janjiq dhe për mundësinë e hartimit të një dokumenti për Kosovën e Serbinë nga Administrata e presidentit Donald Trump.
Besnik Velija
Profesori amerikan Serwer në një përgjigje për Gazetën Express ka thënë se çdo kush mund të përgatis ndonjë dokument për gjithçka dhe mbase Janjiq e di këtë gjë më mirë. Megjithatë ai nuk shprehet shumë optimist sa i përket angazhimit të Administratës aktuale për shkak të rrethanave politike në SHBA.
“Kushdo mund të përgatisë një punim për çdo gjë. Dushani ndoshta e di më mirë se unë. Nuk shoh shumë shpresë për dialogun Beograd-Prishtinë në rrethanat dhe udhëheqjen aktuale”, ka thënë Serwer për Gazetën Express.
Ai ka shtuar se do të ishte i lumtur nëse do të befasohej, derisa i bën thirrje Kosovës për kujdes rreth asaj se çfarë dëshiron, meqë Administrata e Trump, thotë Serwer, më shumë duket e interesuar për projektim të pushtetit sesa për dialog.
“Do të isha i lumtur të befasohem. Por kini kujdes se çfarë dëshironi. Administrata aktuale e SHBA-së duket më e interesuar në projektimin e pushtetit sesa në dialog”, shprehet profesori i John Hopkins University.
Ai shton se rajoni i Ballkanit Perëndimor është shumë poshtë kur vjen puna tek prioritetet aktuale të Uashingtoinit dhe se përmendet vetëm kur Trump dëshiron të krenohet për ndaljen e një lufte, që Serwer thotë se nuk ndodhi.
“Rajoni i Ballkanit Perëndimor është shumë poshtë në listën e prioriteteve të Uashingtonit këto ditë. Rajoni përmendet vetëm kur Presidenti dëshiron të mburret për përfundimin e një lufte që nuk ndodhi”, ka përfunduar Serwer për Express.
Analisti serb Dushan Janic ditë më parë ka deklaruar sërish për një dokument të cilin thotë ai, po e përgatisin Shtetet e Bashkuara të Amerikës për dialogun Kosovë-Serbi.
Ai ka thënë edhe se burimet e tija janë ekspertë e politikanë.
“I qëndroj, por ka disa ndryshime, dhe di që termi ‘Non paper’ është i famshëm për Ballkanin dhe unë e përdor, dhe për Aleksandër Vuçiç apo për njerëz të tjerë. Po këtë herë fola për ekspert amerikan apo kongresmen që po përdorin baza për dialogun e ardhshëm. Sipas informacioneve që kam, kongresi amerikan pranoi ligjin për Ballkanin Perëndimor, edhe ai e thotë qartë se duhet të arrihet një marrëveshje për njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë. Burimet e mia janë ekspertë dhe politikanë,” kishte thënë Janjiq./GazetaExpress/