Është shtyrë për në datën 9 shkurt seanca gjyqësore në Gjykatën e Posaçme për ish-drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Evis Berberi.
Berberi, një nga vartësit më të afërt të zv/kryeministres Belinda Balluku, u arrestua më 14 mars 2024 nën akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.
Po ashtu, edhe Belinda Balluku është e akuzuar nga SPAK, ndërsa prokuroria ka kërkuar pezullimin e saj nga detyra dhe më pas autorizimin për arrestimin, në kuadër të së njëjtës dosje hetimore.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, ish-kreu i ARRSH dyshohet se është i përfshirë në skema korruptive që lidhen me të paktën 8 tendera publikë, me vlerë totale prej miliona eurosh.
Berberi, fillimisht në detyrën e Drejtorit të Agjencisë për Efiçencën e Energjisë, ka zhvilluar tre procedura prokurimi me vlerë rreth 1.2 milionë euro, të cilat janë fituar nga kompania “DAAM”, e drejtuar formalisht nga Valter Begaj, por që sipas hetimeve zotërohej në mënyrë indirekte nga vetë Berberi.