Komisioni për Mundësi të Barabarta në Punësim (EEOC) po hap një hetim ndaj kompanisë “Nike”, për diskriminim të dyshuar ndaj punëtorëve të bardhë, njoftoi agjencia qeveritare amerikane që përcakton ligjet përkatëse në Shtetet e Bashkuara.
Komisioni për Mundësi të Barabarta në Punësim (EEOC) tha se po hapte një skedë të re sepse gjigandi global i këpucëve dhe veshjeve refuzoi të përmbushte një thirrje të gjerë gjyqësore për të dhënë informacion në lidhje me përbërjen racore dhe etnike të fuqisë punëtore të saj, si dhe një listë të punonjësve të përzgjedhur për programe mentorimi dhe zhvillimi.
Komisioni sqaroi se po hetonte nëse ‘Nike’ ka diskriminuar qëllimisht punonjësit e bardhë, duke i shënjestruar ata në mënyrë disproporcionale për shkurtime nga puna.
Një zëdhënës i ‘Nike’ e quajti ankesën “një përshkallëzim të pazakontë”, duke thënë se kompania po bashkëpunon me hetimin e EEOC dhe i ka dhënë agjencisë mijëra faqe informacioni.
“Ne jemi të përkushtuar ndaj praktikave të drejta dhe të ligjshme të punësimit dhe i përmbahemi të gjitha ligjeve në fuqi, përfshirë ato që ndalojnë diskriminimin”, tha zëdhënësi. “Ne besojmë se programet dhe praktikat tona janë në përputhje me këto detyrime dhe i marrim këto çështje seriozisht”.
Synimi i programeve të diversitetit dhe barazisë
Rasti është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë nga administrata Trump dhe të emëruarit e saj për të kufizuar ose eliminuar politikat e diversitetit, barazisë dhe përfshirjes në agjencitë qeveritare, sektorin privat dhe arsimin e lartë.
Kritikët e programeve DEI argumentojnë se ato minojnë meritokracinë dhe mund të çojnë në “diskriminim të kundërt “, veçanërisht kundër të bardhëve dhe burrave.
Kryetarja e EEOC, Andrea Lucas, ka thënë vazhdimisht se shumë programe të përhapura të diversitetit në vendin e punës mund të jenë të paligjshme dhe se komisioni do të hetojë – dhe nëse është e nevojshme, do të ndërmarrë veprime ligjore kundër – kompanive që shkelin ligjet kundër diskriminimit bazuar në racë, seks, fe ose karakteristika të tjera të mbrojtura.
Lucas u emërua në komision nga Trump në vitin 2020 dhe mori detyrën vitin e kaluar.
Hetimet e EEOC zakonisht iniciohen nga ankesat e punonjësve. Megjithatë, në rastin e ‘Nike’, procesi bazohet në një “akuzë komisioneri” relativisht të rrallë, të cilën vetë Lucas e inicioi në maj 2024, sipas një dosjeje të mërkurën në gjykatën federale në St. Louis, Missouri.
Në një deklaratë, Lucas theksoi se kur ka prova të forta se politikat DEI të një punëdhënësi janë të paligjshme, “EEOC do të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm – duke përfshirë veprimet e zbatimit të thirrjes në gjyq – për të siguruar aftësinë për të kryer një hetim të plotë dhe kuptimplotë”.