Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se shpreson ta zgjerojë goditjen e tij ndaj emigracionit edhe në pesë qytete të tjera, duke paralajmëruar një prani të vazhdueshme dhe në rritje të agjentëve federalë në mbarë vendin.
Ai nuk pranoi t’i përmendte qytetet.
“Ne kemi pesë qytete që po i shqyrtojmë shumë seriozisht, por duam të jemi të ftuar”, tha Trump në një intervistë për NBC News, duke sinjalizuar hezitimin për të hyrë në vende ku do të përballej me rezistencë nga zyrtarët lokalë, siç ka ndodhur në Minesota
Në të njëjtën kohë, ai tha se përvoja e tij me Minneapolisin i mësoi se mund t’i duhet “një qasje më e butë” pasi agjentë federalë qëlluan për vdekje dy shtetas amerikanë muajin e kaluar.
Në një intervistë të gjerë në Zyrën Ovale që zgjati gati një orë, Trump mori meritën për gjendjen e ekonomisë amerikane — përfshirë efektet e revolucionit të inteligjencës artificiale që ai e ka përqafuar — kërcënoi se udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, duhet të jetë “shumë i shqetësuar” për sulme të mundshme amerikane ndaj vendit të tij dhe nuk përjashtoi mundësinë e përpjekjes për të mbetur president edhe pas përfundimit të mandatit të tij aktual.