Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, e ka quajtur mega aferë rastin e miliarderit Jeffrey Epstein pasi sipas Palokajt prekë shumë aspekte, atë njerëzor por edhe politik duke përmendur edhe përfshirjen e ish të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Palokaj ka thënë në emisionin “Konfront” në KTV, se Lajçak është një gënjeshtar dhe se këtë e ka dëshmuar në katër ditët e fundit duke i ndërruar vazhdimisht deklarimet në lidhje me rastin “Epstein”.
“Këtu duhet ta ndajmë këtë mega aferë në disa aspekte, aspekti i parë është ai juridik dhe kriminal me keqtrajtimin e të miturave, pastaj trafikimin. Duhet ta ndajmë në aspektin e vlerave të sistemeve dhe pastaj t’i shohim edhe pasojat politike. Pastaj e kemi Miroslav Lajçakun, ai ka dhënë dorëheqje nga posti i fundit që ka pasur si këshilltar për siguri kombëtare të kryeministrit të Sllovakisë. Lajçak ka dëshmuar me sjelljen e tij në katër ditët e fundit që është thjesht një gënjeshtar. Të premten ka thënë se asnjëherë nuk ka shkëmbyer mesazhe ku janë përmendur femrat, të shtunën ka dhënë dorëheqje ndërsa dje në një intervistë në radio ka thënë se nuk i kujtohet ky komunikim por kur i lexon këto mesazhe ndjehet si idiot”, ka deklaruar Palokaj.
Korrespodenti i KOHËS ka dekaruar po ashtu se fakti që Lajçak për gati 20 vite ka qenë me misione të caktuara nga Bashkimi Evropian në Ballkanin Perëndimor, vë në dyshim punën e tij gjatë asaj periudhe.
Palokaj nënvizoi në veçanti afërsinë e Lajçakut me strukturat ruse.
“Problemi është që Lajçak për gati 20 vite, ka qenë në krye të përpjekjeve të BE-së në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në këtë periudhë BE-ja si shqetësimin kryesor në këtë rajon ku Lajçak kishte rolin kryesor, e ka pasur luftimin e ndikimit të Rusisë, e tash Lajçak në atë komunikim shihet se ka qenë njeri i afërt me strukturat e Rusisë. Në komunikim me Epsteinin më së shumti ai ofrohet për të siguruar takime të nivelit të lartë të qeverisë ruse dhe shpreh edhe dashuri për ministrin e Jashtëm të Rusisë Sergei Lavror”, ka deklaruar Palokaj.
Qeveria e Kosovës gjatë procesit të dialogut e ka akuzuar lehtësuesin e BE-së se nuk është i paanshëm në punën e tij. Këto akuza nga ana e Kosovës kishin hasur në kritika të mëdha nga BE-ja, e cila i doli fuqishëm në mbrojtje Lajçakut. Gjatë mandatit të tij, Lajçak shumë shpesh në raportime te vendet anëtare e ka kritikuar më shumë Kosovën sesa Serbinë për mungesë të progresit në procesin e normalizimit të raporteve.
Megjithatë, Bashkimi Evropian është i mendimit se përmendja e Miroslav Lajçakut në dosjen “Epstein” dhe dashuria e tij për ministrin e Jashtëm të Rusisë nuk e kanë komprometuar procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin për pesë vjet e ka lehtësuar pikërisht Miroslav Lajçak.
Fluturime nga Düsseldorfi për në Prishtinë dhe anasjelltas me çmime shumë të volitshme Reisebüro Prishtina ofron sherbime të sigurta,...