Deklarata e ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, se për shkak të investimeve në KEK blloqet do të ndalen për disa muaj dhe se importi i rrymës po ashtu do të jetë i lartë edhe sivjet, po shihet si paralajmërim për shtrenjtimin e faturave.
Egzon Hajdari, nga grupi protestues kundër shtrenjtimit të energjisë, ka thënë se deklarimi i Rizvanollit të mërkurën rreth çështjes së rrymës është shenjë se kërkesa për rritje të çmimit me rreth 21% do të pranohet.
“Këto investime që mund të ndodhin, nuk mund të shërbejnë për gjenerata në vazhdim, janë mjete harxhuese që ndoshta mund të konsumohen, amortizohen për 10-15 vjet. Por ajo që është e rëndësishme, kjo deklaratë ne na bën gati që çmimi i energjisë elektrike do të aprovohet nga ZRRE. Po, ajo është parapërgatitje për qytetarët që kjo marrëveshje të pranohet sa më lehtë nga qytetarët”, ka thënë ai në Interaktiv.
Të premten pritet të mbahet protesta kundër paralajmërimit për rritjen prej rreth 21 për qind të tarifave të rrymës. Kërkesa më urgjente që del nga kjo protestë do të jetë pikërisht parandalimi i rritjes së çmimit, pasur me kërkesë të tjera.
Hajdari ka thënë e protestuesit kërkojnë edhe shkarkimin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë si dhe shtetëzimin e KEDS-it.
“Fillimisht thonë se janë duke e shqyrtuar e pastaj e aprovojnë çdo kërkesë. Protesta fillon te KEDS-i, vazhdon te ZRRE dhe përfundon te Qeveria. Ky marsh i ka tri kërkesa, parandalimi i çmimit të rrymës, shkarkimi i Bordit të ZRRE-së që nuk i ka kryer rolin e vet por i ka shërbyer KEDS-it dhe duhet të hapet diskutimi për shtetëzimin e KEDS-it”, ka thënë ai.
Hajdari ka shtuar se nuk do të jetë e vetmja protestë ajo e të premtes, duke paralajmëruar organizime të tjera në vazhdim kundër rritjes së çmimit të rrymës.