Pa asnjë përgjegjësi penale kandidatët me vota të vjedhura pritet të certifikohen si deputetë të Kuvendit të Kosovës, javën e ardhshme.
Prokuroritë në Pejë, Gjakovë, Prizren, Mitrovicë dhe Prishtinë kanë arrestuar e intervistuar komisionerë e kryesues të komisioneve të numërimit, por nuk kanë konfirmuar nëse kanë intervistuar kandidatë për deputetë, të cilët ishin pjesë e garës në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
KOHA ka pyetur këto prokurori për motivet që i kanë identifikuar deri tash te të dyshuarit për të kryer vepra penale, por disa nga to kanë thënë se janë në faza të hershme të hetimit. E për hapa të tjerë hetimorë njoftuan Prokuroria Themelore në Pejë dhe ajo në Prishtinë. Prokuroria e Prishtinës ka bërë të ditur se po heton numërimin e votave të Obiliqit.
“Më datë 04.02.2026, Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës për intervistimin e disa personave të dyshuar në Komunën e Obiliqit, lidhur me dyshimet për keqpërdorime apo falsifikime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike. Pas intervistimit, personat e dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet janë duke vazhduar me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Prishtinës.
Prokuroria në Pejë ka intervistuar 30 të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit në Deçan e Junik.
Zëdhënësi i kësaj prokurorie, Shkodran Nikçi, tha se të intervistuarit janë komisionerë.
“Do të pasojë ky hetim edhe me komisionerë në këto komuna ku më pas do të merren në intervistë edhe kryesuesit e këtyre qendrave të votimit të cilët kanë qenë të implikuar në këtë proces dhe do të merren veprime të tjera për komunat e tjera që i kemi në juridiksion si prokurori… Një numër i komisionerëve, përfshirë dhe kryesuesit, janë diku 200 persona që nga sot kanë filluar të intervistohen, po flas për komunat që i mbulojmë ne, që janë pesë. Kemi filluar me komunën e Deçanit dhe Junikut dhe pastaj do të pasojnë komunat e tjera”, tha Nikçi.
Për shtim votash në rajonin e Pejës, ku bëjnë pjesë edhe Komuna e Klinës, Deçanit e Istogut, prin Komuna e Pejës.
Në këtë komunë u manipuluan më së shumti vota brenda Vetëvendosjes – 2.469 sosh.
Ndërsa nga kandidatët për deputetë, votat më së shumti te VV-ja iu shtuan Taulant Kelmendit, 955 sosh, te PDK-ja Xhavit Halitit 458 vota, te AAK-ja Ali Berishës 172 vota e te LDK-ja, Fatmir Asllanit iu shtuan 112 vota.
Në Junik kandidatëve iu shtuan 98 vota: 48 vota kandidatëve të LVV-së, 22 vota kandidatëve të AAK-së, 16 vota kandidatëve të LDK-së, Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar tetë vota, katër vota kandidatëve të PDK-së.
Nga tri vota janë vjedhur në favor të Donika Gërvallës, Andin Hotit dhe Rea Krasniqit nga LVV-ja. Dy vota në këtë komunë i janë shtuar Ukë Rugovës nga LDK-ja e nga një votë katër kandidatëve të PDK-së.
Ndërsa në Deçan kandidatët e AAK-së i kanë 430 vota të shtuara, LVV-ja 72 vota, LDK-ja 70 vota, PDK-ja 38 vota, si dhe Balli Kombëtar Demokrat Shqiptar 11 të shtuara apo në total 621 vota. Në këtë komunë 188 vota u vodhën në favor të Hamdi Komonit, 25 për Daut Haradinajn, si dhe 22 për Time Kadrijajn. Shtim pati edhe te Arjeta Fejza për gjashtë vota e Ejup Maqedonci për katër vota nga LVV-ja, si dhe 8 vota për Hykmete Bajramin e LDK-së.
Në një intervistë në KTV prokurorja koordinatore për zgjedhjet, Laura Pula, ka thënë se fillimisht do të intervistohen komisionerët dhe kryesuesit e më pas edhe kandidatët.
Sipas saj, varësisht nga rezultatet që do të dalin nga kjo fazë e hetimeve, më pas do të merren edhe me intervistimin e kandidatëve për deputetë, nëse rezulton se ndonjëri prej tyre ka qenë i përfshirë. Pula në emisionin “60 minuta” pati thënë po ashtu se askush nuk bën falsifikim rezultati pa pasur një interes të caktuar.