Eksperti i energjisë, Adhurim Haxhimusa, ka kritikuar menaxhimin e ZRRE-së gjatë qeverisë së tanishme, duke theksuar se vendimet për rritjen e tarifave po merren pa kapacitete të mjaftueshme menaxhuese. Ai paralajmëron se kjo situatë rrezikon stabilitetin e sektorit energjetik dhe e bën më të vështirë menaxhimin e ngarkesës në sistem.
“Për fat të keq, ZRRE gjatë gjithë kësaj periudhe, që nga 2020 e tutje, është sulmuar përmes shkurtimit të buxhetit. Në të njëjtën kohë, bordi ka kërkuar rritje të buxhetit dhe të stafit, sepse stafi aktual nuk mund të menaxhojë proceset. Aktualisht, një person i vetëm përcakton tarifat – a duhet të kemi 20% rritje apo jo,” tha Haxhimusa.
Ai paralajmëron se qytetarët po inkurajohen të kalojnë nga ngrohja me dru tek pompat termike, por sistemi energjetik i Kosovës nuk ka kapacitet të mjaftueshëm për t’i përballuar këto ndryshime. Sipas tij, për momentin, mënyra më e efektshme e ngrohjes mbetet me dru, qymyr, gaz ose derivate të naftës.
“Rezultati i politikave paradoksale të Kosovës, të qeverisë dhe të ZRRE-së, është i dukshëm: nga njëra anë, kemi inkurajuar qytetarët të kalojnë te ngrohja me energji elektrike; pompat termike janë një zgjidhje e mirë, por vetëm kur kapacitetet gjeneruese janë të larta dhe sistemi është i eficient. Për momentin, forma më e përshtatshme për shkarkimin e ngarkesës në sistemin elektroenergjetik është ngrohja me dru, qymyr, gaz apo derivate të naftës. Nuk është forma e duhur të kalosh nga ngrohja me dru direkt tek pompat termike,” tha Haxhimusa. /Rtv21