Megjithëse kritikat zyrtare janë ende nën embargo deri të hënën e ardhshme, rrjetet sociale në Los Angeles janë përfshirë nga entuziazmi pas shfaqjes së parë të adaptimit shumë të pritur të Wuthering Heights, realizuar nga Emerald Fennell sipas romanit klasik të Emily Brontë.
“Dehës, transhendent, joshës, magjepsës, hipnotik,” shkroi kritikja Courtney Howard, duke shtuar se filmi “kap me mjeshtëri dhimbjen e bukur dhe thelbin e dëshirës” dhe se është “një klasik i ri i nivelit më të lartë”.
Një tjetër komentues e quajti filmin “tërheqës” dhe “i rafinuar”, duke e përshkruar si “një kaos të bukur pasioni, shkatërrimi, epshi, hakmarrjeje dhe sjelljeje të shfrenuar”. “Harrojeni librin dhe hyni në çmendurinë e kimisë së pamohueshme dhe dëshirës toksike shpërthyese,” shkruante ai.
Gazetarja veterane e kinemasë Anne Thompson parashikoi se filmi “do të hapet fuqishëm dhe do të fluturojë në arkë”, duke e quajtur “një spektakël energjik, sensual dhe shumë argëtues për publikun”. Sipas saj, si Jacob Elordi ashtu edhe Margot Robbie do të dalin të fituar, ndërsa audienca “do të bjerë në dashuri me pamjet ekstravagante dhe regjinë e pakursyer të Fennell – gjithçka është e madhe”.
Edhe analisti i box office-it Scott Mendelson u pajtua, duke thënë se filmi “godet fort”, falë “vlerave të prodhimit me buxhet të madh dhe stilit kinematografik që dikur i merrnim si të mirëqena”. Ai shtoi se filmi funksionon edhe “si një tragjedi romantike e nuancuar”.
Një notë më e kujdesshme erdhi nga Brandon Norwood, i cili e quajti filmin “paksa të gjatë”, por theksoi se dy aktorët kryesorë janë “shpërthyes bashkë”. “Kimia e tyre del jashtë ekranit,” tha ai. “Dhe po, është i nxehtë. Shumë sensual.”
Megjithatë, filmi ka ngjallur edhe polemika. Disa puristë të Brontë-s kanë shprehur skepticizëm për qasjen anakronike në kostume, për elementët e hapur të BDSM-së dhe për zgjedhjet e kastit: Margot Robbie, 35 vjeçe, në rolin e Cathy-t 19-vjeçare, si dhe Jacob Elordi, aktor i bardhë, në rolin e Heathcliff-it – një personazh që shpesh interpretohet si me origjinë rome.
Fennell e ka mbrojtur vizionin e saj, duke theksuar se romani përmban “një sasi të madhe sadomazokizmi” dhe se kjo është arsyeja pse libri tronditi lexuesit në kohën e vet. Ajo nënvizoi se adaptimi i saj është një lexim personal, vetëm një nga shumë të mundshmit.
“Bukuria e këtij filmi është se mund të ribëhet çdo vit dhe prapë të jetë prekës dhe interesant,” tha ajo. “Ka pafund interpretime. Sipas meje, çdo vit duhet të kemi një të ri.”
Wuthering Heights pritet të dalë në kinematë e gjithë botës më 13 shkurt. /GazetaExpress/