30 komisionerë nga Deçani dhe Juniku janë duke u intervistuar nën dyshimin për manipulim me vota për kandidatët për deputetë në zgjedhjet e 28 dhjetorit, mëson Gazeta Express.
Sot Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se kanë nisur intervistimet e komisionerëve pas mospërputhjes së rezultateve para dhe pas rinumërimit.
Kjo prokurori hetimet i kishte nisur më 19 janar.
“Autorizimi i parë për ndërmarrjen e veprimeve hetimore është lëshuar më 19 janar nga Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, znj. Lumturije Vuçetaj, ndërsa veprimet e mëtejshme hetimore po ndërmerren me autorizimet e prokurorëve të caktuar nga Kryeprokurorja, në koordinim të ngushtë me Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë. Nga dita e sotme ka filluar procesi i intervistimit të komisionarëve lidhur me dyshimet për keqpërdorime gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve të subjekteve politike, me qëllim të sqarimit dhe zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave të këtij rasti.”
Hetime e intervistime janë zhvilluar edhe në Prizren, Malishevë, rajonin e Mitrovicës, Podujevë.