Më 4 shkurt në Budapest pritet vendimi ndaj një personi ekstremist të majtë nga Gjermania. Maja T. ka identitet gjinor jo-binar. Gjyqi është i diskutueshëm nga perspektiva e sundimit të ligjit.
Ky proces penal para një gjykate në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest, ka disa dimensione. Përveç atij ligjor, edhe atë politik dhe evropian. Maja T., nga Jena, akuzohet si anëtare e mundshme e një grupi ekstremist të majtë, i cili në shkurt 2023 sulmoi pjesëmarrësit e një tubimi vjetor ndërkombëtar neonazist. Disa nga viktimat u plagosën rëndë.
Në fillim të procesit në shkurt 2025, Maja T. e refuzoi ofertën për të pranuar fajin dhe dënimin me 14 vjet heqje lirie. Prokuroria tani kërkon dënimin maksimal prej 24 vjetësh. Avokati mbrojtës i Maja T. kërkon lirimin nga akuzat. Vendimi pritet më 4 shkurt.
Ekstradimi në Hungari ishte i paligjshëm
Megjithatë gjyqi nuk duhej të zhvillohej aspak në Hungari, sepse ekstradimi i Maja T. në qershor 2024 u konsiderua i paligjshëm nga Gjykata Kushtetuese Gjermane. Argumentimi i gjykatës: deficite në sundimin e ligjit në një shtet anëtar të Bashkimit Evropian (BE), i cili që nga viti 2010 qeveriset në mënyrë gjithnjë e më autoritare nga kryeministri Viktor Orbán.
Po ashtu Maja T. nuk e identifikon veten as vetëm si mashkull as si femër. Njerëz të tillë jo-binarë përballen në Hungari me diskriminim edhe më të madh sesa në vendet e tjera. Edhe ky shqetësim u shpreh nga Gjykata Kushtetuese Gjermane.
Maja T. mbahet në izolim që nga qershori i vitit 2024
Shqetësimet me sa duket u konfirmuan, pasi Maja T. mbahet pa ndërprerje në izolim. Përpjekja për ta ndryshuar gjendjen përmes një greve urie në korrik 2025, rezultoi e pasuksesshme. Maja T. është e bindur se identiteti i saj gjinor është një arsye për ashpërsimin e kushteve të burgimit: “Kjo padyshim luan një rol”, tha Maja T. në një intervistë të zhvilluar nga Deutsche Welle në burg.
Para dhënies së vendimit, e burgosura nga qyteti universitar gjerman i Jenës, çështja e së cilës është bërë çështje politike, dëshiron të flasë për herë të fundit rreth procedurave penale dhe përvojave të veta në burg. Këtë e deklaroi babai i Majës, Wolfram Jarosh, në një intervistë me DW. Një tubim, i njoftuar prej tij, si dhe manifestime të tjera solidariteti të planifikuara, janë ndaluar. Autoritetet e justifikuan ndalimin me shpjegimin se në to mund të merrnin pjesë anëtarë të një organizate terroriste.
“Antifa Lindje” është në Hungari në listën e organizatave terroriste
Fjala është për “Antifa Lindje”, e cila në 2025 në Hungari u vendos në listën e organizatave terroriste, duke ndjekur shembullin e Presidentit Donald Trump në SHBA. Ndërsa ekstremistët e djathtë nuk kanë arsye pse të frikësohen. Më 14 shkurt, dhjetë ditë pas vendimit që pritet kundër Maja T., neonazistë nga e gjithë Evropa do të festojnë sërish të ashtuquajturën “Dita e Nderit” në Budapest. “Atyre u lejohet madje të marshojnë me uniforma SS dhe me kryqe të thyer”, thotë i indinjuar babai Wolfram Jarosh. “Por antimitingu është ndaluar këtë vit.” Në kuadër të këtyre protestave ndodhën sulmet e dhunshme ndaj neonazistëve të dyshuar në vitin 2023.
Jarosh është i zhgënjyer edhe nga përpjekjet e pafrytshme diplomatike. Përfaqësuesit e ambasadës gjermane në Hungari e vizituan Maja T. disa herë në burg dhe morën pjesë në gjyq si vëzhgues. Përveç kësaj ministri i Jashtëm Johann Wadephul njoftoi në korrik 2025 se kishte ndërmend të avokonte për kushte më të mira burgimi. Me sa duket pa sukses.
Mund të mbështetet Maja T. në premtimet e Hungarisë?
Jarosh pothuajse e ka humbur shpresën për një vendim të drejtë. Nëse Maja T. do ta apelojë një dënim të gjatë me burg, është ende e paqartë, thotë i ati. Në rast se vendimi kundërshtohet, fëmija i tij fillimisht do të duhet të qëndrojë në Hungari. Por nëse vendimi i gjykatës së parë pranohet, Maja T. mund të transferohet në një burg gjerman.
Jarosh tha se për këtë ka tashmë premtime. “Unë vetëm mund të shpresoj, që pala hungareze do ta mbajë fjalën lidhur me rikthimin e premtuar.”
Por ai ka dyshime, sepse as premtimi për përmirësimin e kushteve të burgjeve në Budapest nuk është mbajtur.

“Do të merret një vendim politik”
Eurodeputeti gjerman Martin Schirdewan, i cili e ka vizituar disa herë Maja T. në burg, pret më të keqen: “Do të merret një vendim politik”, mendon politikani i partisë E Majta në një intervistë për DW, duke iu referuar mangësive të sundimit të ligjit në Hungari. Për shkak të shkeljes së përsëritur të vlerave themelore në fillim të vitit 2025 Komisioni Evropian i shkurtoi Hungarisë, mbi një miliardë euro nga fondet për rajonet me strukturë të dobët.
Prognoza pesimiste e Schirdewan rezulton edhe nga ajo, që ka parë si spektator në sallën e gjyqit: Prokuroria ka kërkuar që vendimi të jetë “i ashpër dhe të shërbejë si shembull”. Schirdewan ngre akuza të ashpra edhe kundër Komisionit Evropian dhe qeverisë gjermane: Të dyja nuk kanë ndërhyrë publikisht dhe me forcë.
Prova të dyshimta nga kamerat e sigurisë
Në deklaratën e tij përfundimtare avokati mbrojtës hungarez i Maja T., Tamás Bajaky, kritikoi kryesisht qendrimin e prokurorisë. Ai i konsideron krejtësisht të papranueshme si prova, video-regjistrimet e sulmeve të dhunshme ndaj neonazistëve, të treguara gjatë gjyqit, që ishin marrë nga kamerat publike të sigurisë.
Prokuroria pretendon se në një fragment ka identifikuar si Maja T. një person të maskuar. “Ky person kalon aty pranë, kthehet dhe largohet përsëri nga vendi i ngjarjes. Ky person nuk ka shkop gome, nuk sulmon ose godet askënd dhe nuk shkakton asnjë lëndim”, deklaroi Bajaky në një njoftim për shtyp, të lëshuar pas pretencës së tij përfundimtare.
Nëse gjyqtari József Sós do të ndikohet nga kjo dhe do të japë një dënim më të butë nga sa kërkon prokuroria, do të mësohet më 4 shkurt./DW/