Legjenda e Manchester United, Wayne Rooney, ka përzgjedhur dy nga transferimet më të suksesshme të këtij sezoni në Premier League, duke vlerësuar ndikimin e tyre që nga fillimi i kampionatit.
Afati kalimtar dimëror përfundoi të hënën mbrëma, kur disa lojtarë u transferuan në klube të tjera, por sipas Rooneyt, dy prej tyre kanë pasur ndikimin më të madh që në fillim të sezonit.
Në emisionin e tij “The Wayne Rooney Show”, ai theksoi se Hugo Ekitike dhe Granit Xhaka janë dy nga lëvizjet më të rëndësishme dhe më të suksesshme në Premier League këtë vit.
Ekitike iu bashkua Liverpoolit nga Eintracht Frankfurt në verën e vitit të kaluar, kurse Xhaka iu bashkua Sunderlandit nga Bayer Leverkuseni.
“Ekitike dhe Granit Xhaka te Sunderlandi kanë qenë ndoshta dy transferimet më të mira në Ligën Premier”, ka deklaruar Rooney.
Si Ekitike ashtu edhe Xhaka kanë lënë përshtypje të mira për klubet e tyre deri më tani këtë edicion, duke kontribuar në mënyrë të rëndësishme në renditjen dhe lojën e skuadrave të tyre.
Xhaka, i cili është kapiten i Sunderlandit, ka shfaqur një nivel të lartë konsistence, ndërsa Ekitike ka qenë një shtyllë e rëndësishme në sulmin e Liverpoolit që nga ardhja e tij.
Ky vlerësim i Rooneyt vjen në një moment kur shumë nga transferimet e mëdha të verës dhe dimrit po analizohen për ndikimin e tyre në skuadrat respektive, por sipas legjendës së United, Ekitike dhe Xhaka janë dy emrat që kanë dalë më së shumti në pah këtë sezon.