Gjykimi për krime lufte, dëshmitari: Ristiq e njoha gjatë parakalimit të paramilitarëve të ushtrisë serbe pasi ishte vrarë familja Jashari - Gazeta Express
string(136) "gjykimi-per-krime-lufte-deshmitari-ristiq-e-njoha-gjate-parakalimit-te-paramilitareve-te-ushtrise-serbe-pasi-ishte-vrare-familja-jashari"

Lajme

Gazeta Express

04/02/2026 6:56

Gjykimi për krime lufte, dëshmitari: Ristiq e njoha gjatë parakalimit të paramilitarëve të ushtrisë serbe pasi ishte vrarë familja Jashari

Lajme

Gazeta Express

04/02/2026 6:56

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në shqyrtimin gjyqësor ndaj të akuzuarit Dragan Ristiq, të akuzuar për krime lufte, të martën ka vazhduar dëshminë dëshmitari Afrim Caka, i cili tha se të akuzuarin e ka njohur gjatë parakalimit të paramilitarëve e ushtrisë serbe në Gjakovë pasi ishte vrarë familja Jashari.

Caka tha se i akuzuari Dragan Ristiq ka qenë pjesë e grupit në Kuvendin Komunal të Gjakovës, ku janë mbledhur krerët e ushtrisë e policisë serbe dhe ata që kanë pasur në kontroll lagjet sipas ndarjes, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas tij, të akuzuarin e ka njohur si figurë para vitit 1999, por që më vonë ia kishte mësuar edhe emrin e tij.

Dëshmitari tha se të dhënat në librin e tij i ka marrë nga dëshmitarët okularë, e më pas edhe nga një person që ka punuar në Komunën e Gjakovës, përmes mjeteve të identifikimit.

Po ashtu, Caka tha se para ditës kritike të 10 majit të vitit 1999, e ka parë dy- tri herë në rroba civile Ristiqin, por se gjatë luftës është mobilizuar dhe ka qenë i uniformuar.

I akuzuari Ristiq e pyeti Cakën nëse e njeh atë, pasi që ai nuk e njihte dëshmitarin.

Dëshmitari u përgjigj se e njeh të akuzuarin, pasi që e kishte njohur gjatë parakalimit të bërë nga paramilitarët e ushtria serbe në sheshin e Gjakovës ditën, kur ishte vrarë familja Jashari. Tha se turma thërriste “I vrasim të gjithë”, “S’ka më familje Jashari”, e ku i akuzuari ka qenë aty afër me rroba civile.

Seanca vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarit Dukagjin Dyla, i cili deklaroi se gjatë kohës së luftës ka qëndruar në shtëpinë e tij në Gjakovë deri kur forcat paramilitare i kanë dëbuar nga aty.

Dyla tha se pasi i kanë larguar nga shtëpia, familjet i kanë ndarë burrat nga familjet e tyre, e ku në mesin e paramiliatrëve ka qenë edhe i akuzuari Ristiq.

Dëshmitari Dyla tha se para datës 10 maj 1999 ndoshta e ka parë si fytyrë të akuzuarin, por me emër nuk e ka njohur. Ai shtoi se për herë të parë fotografinë e Dragan Ristiq e ka parë në librin e dëshmitarit Afrim Cakës.

Dyla tha se kryerësit e krimeve të luftës i ka paraqitur para organeve, por se emrin e të akuzuarit nuk e ka përmendur- vetëm ka treguar se çka ka ndodhur.

Po ashtu, ai deklaroi se paramilitarët nuk kanë ushtruar dhunë ndaj familjes së tij.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale të ngritur më 27 qershor 2025, Dragan Ristiq akuzohet se gjatë periudhës 1998–1999, në kohën e luftës në Kosovë, në territorin e qytetit të Gjakovës, duke vepruar në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, duke shkelur rregullat e të drejtës ndërkombëtare, ka marrë pjesë në vrasje, keqtrajtime fizike dhe psikike, arrestime, vjedhje dhe shkatërrime të pasurisë së luajtshme dhe të paluajtshme të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më 10 maj 1999, në rrugën “Bajram Curri” në Gjakovë, pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ku bënte pjesë edhe i pandehuri, të uniformuar dhe të armatosur, të ndarë në grupe të ndryshme, kishin hyrë me dhunë në shtëpinë e M.D., ku po qëndronin M.D., Dukagjin Dyla, bashkëshortja e tij, një fëmijë, si dhe dy të strehuarit C.H. dhe I.L.

Fillimisht, thuhet se i kishin urdhëruar të dëmtuarit të dilnin në oborr, ku një polic kishte ndalur viktimat C.H. dhe I.L., pastaj njëri nga pjesëtarët e forcave serbe u kishte thënë “ah ju qenkeni UÇK” dhe menjëherë kishte shtënë me armë në drejtim të tyre, duke i vrarë që të dy.

Në aktakuzë thuhet se një polic tjetër kishte hyrë në shtëpi ku po qëndronte M.D. dhe kishte shtënë me armë, ndërsa policët e tjerë që ishin në oborr kishin shtënë me armë në drejtim të këmbëve të të dëmtuarve Florije Dyla, Dukagjin Dyla etj., duke i detyruar që të largoheshin nga shtëpia.

Gjithnjë sipas aktakuzës, më 13 maj 1999, Florije Dyla, bashkë me Sabrije Dylën dhe Humajun Dylën, ishin kthyer në shtëpi, ku në korridor e kishin gjetur të vrarë M.D., i cili kishte fytyrën e gjakosur dhe një plagë në gjoks, ndërsa në oborr ishin gjetur të vrarë edhe C.H. dhe I.L., kufomat e të cilëve pas luftës ishin gjetur në varreza masive në Batajnicë të Serbisë, ndërsa identifikimi ishte bërë përmes analizës së ADN-së.

Në aktakuzë thuhet se nga 7 maji deri më 10 maj 1999, në territorin e qytetit të Gjakovës, në kuadër të një sulmi të gjerë dhe sistematik të forcave ushtarake, policore dhe paramilitare serbe kundër popullsisë civile shqiptare, i pandehuri Dragan Ristiq kishte ushtruar dhunë fizike, psikologjike dhe trajtim çnjerëzor ndaj civilëve shqiptarë, duke marrë pjesë aktive në ndalimin dhe ndarjen e dhunshme të meshkujve civilë shqiptarë nga familjet e tyre.

Në aktakuzë thuhet se më 10 maj 1999, në pikën e kontrollit të improvizuar tek ura e Islam Begut (Kulla e Avdullah Pashës) në Gjakovë, duke vepruar në bashkëkryerje me dy pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, fillimisht kishin ndalur veturën të cilën e drejtonte i dëmtuari Masar Caka, i kishin nxjerrë me forcë nga vetura të dëmtuarit Masar dhe Afrim Caka, u kishin kërkuar para dhe, në mungesë të mjeteve monetare, kishin ushtruar dhunë fizike ndaj tyre, përfshirë goditje me grushte, shqelma dhe me kondakë armësh, në prani të fëmijëve dhe familjarëve, si dhe kishin ndaluar dhe keqtrajtuar edhe civilë të tjerë shqiptarë në të njëjtin vend, pa ndonjë bazë ligjore apo procedurale.

Tutje, në aktakuzë thuhet se kishin ushtruar kontroll mbi kolonën e civilëve të dëbuar me qëllim të selektimit dhe ndarjes së burrave për qëllime të mëtejshme represive, me ç’rast gjatë këtij aksioni u arrestuan Afrim Caka dhe Enver Dyla dhe u burgosën rreth 300 persona civilë të nacionalitetit shqiptar dhe komuniteteve të tjera, të cilët fillimisht u mbajtën në burgje të improvizuara, pa trajtim human, duke u munguar gjërat elementare si ushqimi i rregullt, higjiena dhe kujdesi shëndetësor.

Më pas, një pjesë e të burgosurve ishin liruar, rreth 150 prej tyre ishin dërguar në burgje të ndryshme në Kosovë dhe, në fund, nga Burgu i Dubravës, sipas aktakuzës, u transferuan në burgjet e Serbisë, ku pas qershorit të vitit 1999 të dëmtuarit u liruan me ndihmën e organizatave ndërkombëtare.

Në pikën e tretë të dispozitivit të parë thuhet se forcat policore dhe ushtarake serbe, me dhunë dhe nën kërcënimin e armëve, dëbuan nga shtëpitë e tyre familjet Caka, Dyla dhe të gjitha familjet që banonin në rrugët “Bajram Curri”, “Mulliri”, “Qabrati” dhe “Mithat Frashëri” të qytetit të Gjakovës.

Në këtë pikë thuhet më tej se, në ditën kritike, pjesëtarët e forcave policore dhe ushtarake serbe kishin hyrë në shtëpinë e familjes Dyla në Gjakovë dhe kishin vrarë tre persona.

Sipas aktakuzës, të njëjtit i kishin detyruar të gjithë banorët e lagjeve që t’u bashkoheshin kolonave të banorëve civilë të nacionalitetit shqiptar dhe nacionaliteteve të tjera, të cilët me dhunë po largoheshin nga Gjakova.

Sipas pikës së katërt të kësaj aktakuze, gjatë një aksioni të forcave policore dhe ushtarake serbe të filluar më 7 maj 1999 dhe të përfunduar më 10 maj 1999, ku bënte pjesë edhe i pandehuri Dragan Ristiq, fillimisht u plaçkitën shtëpitë e familjeve Caka dhe Dyla dhe të gjitha shtëpitë në rrugët “Bajram Curri”, “Mulliri”, “Qabrati” dhe “Mithat Frashëri” të qytetit të Gjakovës, të nacionalitetit shqiptar, e më pas u dogjën, duke u shkaktuar dëme shumë të mëdha materiale.

Me këto veprime, i pandehuri Dragan Ristiq akuzohet se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile” në bashkëkryerje, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale.

Advertisement
Advertisement
Advertisement