Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka shkruar lidhur me ngjarjen tragjike të 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000 kur në Mitrovicë ishin vrarë dhe plagosur dhjetëra qytetarë. Kurti shkruan se kjo ishte bërë nga shteti i Serbisë përmes policisë dhe grupit paraushtarak e kriminal “Rojet e Urës”, shkruan Gazeta Express.
“26 vite më parë, në natën mes 3 dhe 4 shkurtit të vitit 2000, shteti i Serbisë përmes policisë dhe grupit paraushtarak kriminal “Rojet e urës”, kreu spastrim etnik në zonën veriore të qytetit të Mitrovicës nga banorët shqiptarë vendas. Nën kërcënimin e armëve dhe vdekjes, atë natë, mijëra shqiptarë u dëbuan dhunshëm prej shtëpive të tyre për në jug të lumit Ibër.Gjatë këtij aksioni kriminal të drejtuar nga Serbia, u vranë dhjetë shqiptarë dhe u plagosën 25 të tjerë, qytetarë të Mitrovicës. Sot, 26 vite më pas, i kujtojmë me dhimbje dhe me nderime të vrarët e asaj nate: Nezir Voca, Shqipe Voca, Niman Sejdiu, Bashkim Rrukeci, Sebiha Abrashi, Selime Berisha, Muharrem Sokoli, Nderim Ajeti, Nerimane Xhaka dhe Remzije Canhasi. Ata ishin nga 13 vjeç më i riu, deri 65 vjeç më i moshuari”, ka shkruar Kurti.
Megjithatë Kurti s’ka përmendur asnjë emër të pjesëtarëve të grupit “Rojet e Urës”, ndonëse vetë në vitin 2019 e kishte cilësuar Oliver Ivanoviqin si liderin e “Rojeve të Urës”.
Kurti në një intervistë për televizionin N1 e kishte cilësuar Oliver Ivanoviqin si drejtues të “Rojeve të Urës”. Përveç tjerash, gazetari i N1 e pyet Kurtin edhe për cilësimin që ia kishte bërë Ivanoviqit si “kriminel lufte”. Lideri i VV’së thotë se për këtë gjë kishte folur edhe Bernard Kushneri, meqë kishte qenë shef i UNMIK-ut në atë kohë dhe i njihte rrethanat në Mitrovicë.
Përveç kësaj, Kurti pohon se Ivanoviq kishte qenë pjesë e Rojeve të Urës dhe kishte marrë pjesë në dëbimin e shqiptarëve.
Intervista në N1 nga minuta: 29:30
Gjithashtu edhe partia që drejton, Lëvizja Vetëvendosje, përgjegjës për spastrimin etnik të Mitrovicës, e bënte Oliver Ivanoviqin. Në vitin 2016, Lëvizja Vetëvendosje e kishte konsideruar si turp të drejtësisë dënimin e Ivanoviqit vetëm me 9 vite burg.
“Oliver Ivanoviq dhe bashkëpunëtorët e tij gjatë dhe pas përfundimit zyrtar të luftës në Kosovë janë angazhuar për realizimin e planit hegjemon të shtetit të Serbisë – kolonizimi dhe spastrimi i Kosovës. Oliver Ivanoviqi dhe bashkëpunëtorët e tij nuk janë asgjë më pak se sa konkretja e Ilija Grashaninit – vrit dhe dëbo”, thuhej në reagimin e LVV-së.


Pavarësisht këtyre deklarimeve dhe ngarkimit të përgjegjësisë së krimeve për Oliver Ivanoviq, Kurti në vitin 2023 kishte gjetur fjalët më të mira për ta përkujtuar Oliver Ivanoviqin në përvjetorin e vrasjes.
“Sot ne përkujtojmë jetën dhe kujtimin e Oliver Ivanoviqit, në ditën e vdekjes së tij. Mendimet dhe ngushëllimet e mia janë me familjen dhe miqtë e tij. Oliver Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij. Ai e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord. Do të dëshiroja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, kujtimi i tij si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumë etnike”, kishte thënë Kurti përmes një video-adresimi të publikuar në faqen zyrtare të Qeverisë./GazetaExpress/