Pas shpalljes së rezultateve të konkurseve vjetore për financimin të projekteve në fusha dhe aktivitete të ndryshme të kulturës në Maqedoninë e Veriut, kanë shpërthyer reagime të shumta nga institucione, shoqata kulturore dhe krijues të pavarur, të cilët shprehin pakënaqësi për mënyrën e ndarjes së fondeve dhe, veçanërisht, për mbështetjen e pamjaftueshme të projekteve që përfaqësojnë kulturën shqiptare. Ministria e Kulturës hesht ndaj reagimeve dhe pyetjeve gazetareske, shkruan Portalb.mk.
Organizatorë të aktiviteteve artistike dhe festivaleve vlerësojnë se kriteret e vlerësimit nuk janë të qarta dhe se procesi i përzgjedhjes është jo mjaftueshëm transparent.
Në këtë kontekst, një numër i madh aktorësh kulturorë kërkojnë rishqyrtim të rezultateve, publikim të plotë të pikëzimeve dhe raporteve të komisioneve vlerësuese, si dhe hapjen e një debati të gjerë institucional për riformatimin e politikave kulturore dhe për vendosjen e mekanizmave që sigurojnë ndarje më të drejtë, më meritore dhe më të balancuar të fondeve publike.
Festivali Ndërkombëtar i Teatrove “Othello” (ITF Othello) ka mbetur pa mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës në Programin Vjetor, pikërisht në prag të edicionit jubilar të 10-vjetorit.
Argjend Hasani në një konferencë për media tha se Festivali ‘Othello’, i vlerësuar si festival i kategorisë së parë dhe me 9 vite traditë, këtë vit nuk ka marrë asnjë mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës, prandaj kërkojnë urgjentisht takim me ministrin Ljutkov për sqarim, transparencë dhe mundësi financimi emergjent, në mënyrë që të mos rrezikohet realizimi i edicionit.
“Festivali “Othello” nuk ka pasur asnjëherë prapavijë politike, ai ka funksionuar gjithmonë si një iniciativë e pavarur kulturore. Po ashtu, “Othello” ka qenë dhe mbetet një festival ndërkombëtar dhe multietnik, duke sjellë në skenë artistë dhe trupa nga komunitete të ndryshme dhe duke promovuar dialogun kulturor. Ky shqetësim prek rëndë realizimin e programit artistik, angazhimin e trupave të huaja dhe vendase, si dhe aksesin e publikut ndaj iniciativave kulturore të festivalit. Duke qenë se “Othello” është pjesë e itinerarit kulturor të vendit dhe kontribuon në promovimin e artit skenik dhe turizmit kulturor, kërkojmë me urgjencë një takim zyrtar me Z. Lutkov, Ministër i Kulturës, për të marrë shpjegimet e nevojshme dhe për të diskutuar mundësitë e riparimit të kësaj situate. Kërkesa jonë për takim është sqarimi zyrtar i arsyes së mungesës së mbështetjes, shqyrtim i mundësive për financim emergjent ose mbështetje alternative dhe sigurimi i transparencës në procesin e vlerësimit të aplikimeve për programe kulturore. Ne besojmë në dialog të hapur dhe bashkëpunim institucional për të mbrojtur vlerat kulturore dhe për t’i dhënë publikut programet e cilësisë që e karakterizojnë festivalin “Othello”. Në rast të mungesës së përgjigjes ose zgjidhjes së menjëhershme, do të jemi të detyruar të shqyrtojmë hapat e mëtejshëm publik për të informuar komunitetin kulturor dhe qytetarët”, tha Hasani.
Xhezair Rexhepi artist dhe autor i Puntorisë së Qeramikës ‘Terra Art’, për Portalb.mk tha se problemi nuk është mungesa e projekteve cilësore, por mënyra si funksionon vlerësimi: pa transparencë në kriteret dhe pikëzimin, artistët e pavarur dhe projektet që përfaqësojnë kulturën shqiptare shpesh mbeten pa përkrahje, ndërsa krijohet pabarazi e dyshimtë në trajtim.
“Kjo situatë tregon se problemi nuk është mungesa e projekteve cilësore, por mënyra se si funksionon sistemi i vlerësimit. Pas shpalljes së rezultateve të konkurseve vjetore për projekte me interes kombëtar, artistët e pavarur dhe projektet që përfaqësojnë kulturën shqiptare shpesh mbeten pa përkrahje ose me financim minimal, pa transparencë të plotë mbi kriteret dhe pikëzimin. Kjo krijon dyshim të arsyeshëm për pabarazi në trajtim dhe mungesë koherence institucionale, sidomos kur dihet se këto iniciativa kanë ndikim real në jetën kulturore dhe në përfaqësimin e barabartë në vend. Një shembull konkret është Punëtoria e Qeramikës “Tera Art”. Ky projekt riktheu në vëmendje një aktivitet që rrezikonte të mbetej në harresë dhe pati ndikim të dukshëm në opinionin publik dhe komunitetin kulturor. Megjithatë, pavarësisht këtij ndikimi dhe faktit se vetë Ministria e Kulturës e ka promovuar publikisht projektin, për tre vite radhazi ai nuk është mbështetur financiarisht nga e njëjta ministri. Kjo situatë është absurde dhe kontradiktore: promovim publik pa përkrahje reale. Nëse flasim për projekte me interes kombëtar, atëherë kriteret duhet të bazohen në cilësi, ndikim dhe vazhdimësi, jo në afërsi institucionale apo selektivitet. Pa transparencë dhe llogaridhënie, konkurset kulturore humbasin kuptimin e tyre dhe shndërrohen në procedura formale, në vend që të jenë mekanizma për zhvillimin e drejtë të kulturës, tha Rexhepi.
Edibe Osmani studiuese dhe autore, e angazhuar kryesisht në fushën e folklorit dhe trashëgimisë kulturore për Portalb.mk tha se ndalimi i gjuhës së nënës, arsimit, traditave dhe kulturës është mënyrë e lehtë për ta zhdukur një popull.
“Një popull që dëshiron ta zhdukësh lehtë, mjafton t’ia ndalosh gjuhën e nënës, arsimin, traditat dhe kulturën. Ndoshta kemi biseduar më herët për Epikën Popullore Shqiptare në viset e Tetovës dhe të Gostivarit II. Pas botimit të pjesës së parë të Eposit, që nga viti 1999, Hafezati vazhdoi përplot 20 vjet të vjelë thesarin e popullit. Ai grumbulloi 13 400 vargje epike, të sistemuara në 380 faqe, të cilat i klasifikoi duke u bazuar në veprën e parë, ku redaktor dhe përgatitës ishte Shaban Sinani. Vepra e dytë, Epika II, është e gatshme për botim: në formë digjitale, e lekturuar, me redaktor dhe dy recensentë. I mungon vetëm botimi. Fatkeqësisht, mungojnë mjetet financiare. Për pesë vjet radhazi kemi konkuruar në Ministrinë e Kulturës, por pa asnjë rezultat. Është mëkat të zhduket një pasuri kaq e madhe gojore pa e parë dritën e botimit. Autori, Hafezati, me mjete minimale të një mësuesi, për plot 20 vjet ka hulumtuar nga fshati në fshat, ka trokitur në çdo shtëpi të subjektit për të grumbulluar edhe vargun e fundit të eposit tonë popullor. Këtë e bëri me dashuri të madhe dhe me përkushtim shkencor, duke qëndruar sa më besnik ndaj çdo foneme të fjalës, ashtu siç e kërkojnë rregullat e shkencës folklorike”, tha Osmani.
Artisti Bejtulla Zaimi për Portalb.mk tha se kur projektet kulturore lihen pa përkrahje, nuk dëmtohet vetëm një autor apo një aplikim, dëmtohet vazhdimësia e krijimtarisë dhe zëri kulturor i vendit, brenda dhe jashtë kufijve.
“Në lidhje me projektet e paraqitura në Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, të cilat këtë vit nuk kanë kaluar dhe nuk janë mbështetur financiarisht, dua të theksoj se kjo nuk është hera e parë që projektet e mia nuk marrin përkrahje. Megjithatë, këtë vit kjo situatë ka prekur një numër shumë më të madh artistësh, të cilët gjithashtu kanë mbetur pa financim. Kjo gjendje po krijon vështirësi serioze për zhvillimin e punës artistike dhe për vazhdimësinë e krijimtarisë kulturore në vend. Gjatë këtij viti kam konkurruar edhe me një projekt në Qendrën Kulturore Informative në Nju Jork, me qëllim prezantimin e krijimtarisë sonë artistike në arenën ndërkombëtare, por edhe ky projekt nuk ka kaluar”, tha Zaimi.
Ministria e Kulturës dhe Turizmit ka publikuar rezultatet e Konkursit Vjetor për projektet që do të përkrahen në vitin 2026. Ministri Zoran Ljutkov njoftoi se buxheti i përgjithshëm për vitin 2026 është 5,194,975,000 denarë, ndërsa për projekte me interes kombëtar në kulturë janë paraparë 1,070,417,000 denarë. Në konkurs arritën 2,618 aplikime.
Në listën e projekteve të miratuara figuron edhe emri i zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, me projektin për botimin e librit me titull “Hulumtime në Kineziologji”, me autorësi të tij. Sipas të dhënave, botimi i këtij libri është mbështetur me 81.000 denarë, ndërsa aplikues i projektit është Shoqëria për prodhim, tregti dhe shërbime “SEMI GENIMEPS” SHPK import-eksport nga Kumanova.
tag_katrorimaqedoni_2