Agjenti i Romagnolit thotë se Lazio ia ka borxh disa paga futbollistit të tij - Gazeta Express
string(77) "agjenti-i-romagnolit-thote-se-lazio-ia-ka-borxh-disa-paga-futbollistit-te-tij"

Futboll

Gazeta Express

02/02/2026 17:41

Agjenti i Romagnolit thotë se Lazio ia ka borxh disa paga futbollistit të tij

Futboll

Gazeta Express

02/02/2026 17:41

Agjenti i Alessio Romagnolit, Enzo Raiola, ka shpjeguar se si dështoi kalimi i mbrojtësit tek Al-Sadd dhe ka zbuluar se Lazio i detyrohet ende paga nga muajt e kaluar.

Transferimi i propozuar i Romagnolit tek Al-Sadd u rrëzua javën e kaluar dhe mbrojtësi është i destinuar ta përfundojë sezonin aktual te Lazio.

Klubi i Serie A e bllokoi zyrtarisht largimin e tij më 25 janar, por negociatat vazhduan edhe në ditët pasuese.

“Lojtari e ka kuptuar se nuk ka të ardhme te Lazio. Nuk ka pasur kurrë një propozim për rinovim kontrate dhe klubi ende duhet të paguajë disa paga të prapambetura,” tha Raiola për “Sky Sport”.

“Ne vazhduam negociatat edhe pas deklaratës së papritur të Presidentit. Al-Sadd kishte dërguar një ofertë zyrtare, por Lazio nuk u përgjigj kurrë”.

“Alessio i tha Sarrit se donte të transferohej në Katar. Gjatë një viti e gjysmë të fundit, ai e ka kuptuar se nuk ka të ardhme te Lazio dhe më ka thënë më shumë se një herë se klubi i fundit italian për të do të jenë ‘Biancocelestët;. Ai ka shprehur dëshirën për të luajtur jashtë vendit”

“Nuk ka pasur kurrë një ofertë për rinovim,” vazhdoi Raiola.

“Pas kualifikimit në Ligën e Kampionëve, prisnim një telefonatë nga klubi, sepse ishin bërë premtime kur Alessio nënshkroi kontratën. Kanë kaluar tre vjet e gjysmë, mendoj se mund ta harrojmë këtë telefonatë”.

Agjenti i Romagnolit shpjegoi se Lazio dhe Al-Sadd, i drejtuar nga ish-trajneri i Italisë Roberto Mancini, më në fund arritën një marrëveshje më 31 janar, por ishte tepër vonë pasi merkatoja dimërore në Katar u mbyll po atë ditë.

“Në atë moment nuk kishte më kohë për të nënshkruar kontratën,” tha Raiola.

“Ne ende nuk e kuptojmë pse disa nga pagat nuk janë paguar; kjo ndodh shpesh në Itali dhe kthehet në një lloj shantazhi ndaj lojtarëve, sepse kur pranojnë të dalin në merkato, duhet të heqin dorë edhe nga pagat e papaguara. Nuk e kuptuam këtë kusht”.

Romagnoli nuk u grumbullua për ndeshjen e fundit të Lazios në Serie A kundër Genoas, pasi nuk ishte stërvitur me pjesën tjetër të ekipit pasi “Biancocelestët” fillimisht refuzuan ta shesin.

Kontrata e tij skadon në qershor të vitit 2027, por është e vështirë të imagjinohet që ai të qëndrojë në “Olimpico” përtej këtij sezoni.

Raiola tha se klienti i tij dëshiron të vazhdojë të luajë edhe për të paktën gjashtë vite të tjera.

“Ai po stërvitet dhe do të vazhdojë rrugëtimin e tij te Lazio. Ai është profesionist, ndaj do ta vazhdojë sezonin këtu,” përfundoi Raiola.

“Ai mund ta kishte marrë situatën në dorë më fort, por gjithmonë ka dashur të kërkojë një marrëdhënie, diçka që nuk ka ekzistuar kurrë në nivelet më të larta të klubit. Të vetmit njerëz me të cilët është përballur kanë qenë drejtori Fabiani dhe Sarri. Do të shohim çfarë sjell e ardhmja”./GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement