Një simptomë pak e njohur që shfaqet në veshë mund të jetë shenjë se një grua po kalon në periudhën e perimenopauzës ose menopauzës.
Sipas mjekëve, edhe pse ndryshime si afshet e nxehta apo luhatjet emocionale njihen gjerësisht, veshët janë një pjesë e trupit që shpesh dërgojnë sinjale paralajmëruese të heshtura.
Rreth 13 milionë persona në Mbretërinë e Bashkuar janë aktualisht në menopauzë ose e kanë kaluar atë. Dr. Amir Khan, mjek i njohur që shfaqet rregullisht në emisione të ITV-së si Lorraine dhe Good Morning Britain, thotë se ekziston “një simptomë e menopauzës për të cilën pothuajse askush nuk flet”.
Bëhet fjalë për tinitusin, një gjendje që shfaqet si zhurmë, gumëzhimë, fishkëllimë apo tingull i vazhdueshëm në veshë. Sipas raportimeve të Mirror, rreth 30% e grave përjetojnë tinitus të ri ose të përkeqësuar gjatë kësaj faze tranzicioni hormonal.
Dr. Khan shpjegon se rënia e nivelit të estrogjenit ndikon drejtpërdrejt në qarkullimin e gjakut dhe në qelizat e vogla receptore brenda veshit të brendshëm, të cilat janë përgjegjëse për dëgjimin e qartë. “Gjatë perimenopauzës, shumë gra vërejnë se tingujt duken më të mbytur dhe bëhet më e vështirë të ndjekin bisedat, sidomos në ambiente të zhurmshme. Kjo nuk lidhet vetëm me moshën, por shpesh me luhatjet hormonale,” shpjegon ai.
@doctoramirkhann Did you know your hearing, balance and risk of tinnitus is affected by the menopauseHere’s what #doctoramir #sleep #doctoramirkhan #doctor #medical #health #doctors #healthy #drkhan #eathealthy #healthyliving #mamkahn ♬ original sound – Dr Amir Khan GP
Sipas mjekut, ndryshimet hormonale e bëjnë tinitusin më të dukshëm, veçanërisht gjatë natës ose në periudha stresi. Estrogjeni ndihmon në funksionimin normal të rrugëve nervore të dëgjimit dhe kur niveli i tij bie, nervat mund të bëhen më të ndjeshëm, duke krijuar tinguj “fantazmë”.
Përveç dëgjimit, menopauza mund të ndikojë edhe në ekuilibrin. Sistemi i balancës ndodhet gjithashtu në veshin e brendshëm dhe estrogjeni ndihmon në rregullimin e lëngjeve në këtë zonë. Gjatë menopauzës, disa gra mund të përjetojnë marramendje të lehtë, ndjeshmëri ndaj lëvizjes ose ndjesi pasigurie në qëndrim.
“Këto simptoma janë mjaft të zakonshme, sidomos nëse përkeqësohen në përputhje me ciklin gjatë perimenopauzës. Pikërisht për këtë arsye është e rëndësishme të flitet hapur për to,” thekson Dr. Khan, duke shtuar se problemet me veshët mund të ndikojnë ndjeshëm në vetëbesim, veçanërisht kur shoqërohen me lodhje mendore dhe gjumë të dobët.
Çfarë mund të ndihmojë?
Dr. Khan rekomandon që hapi i parë të jetë një kontroll audiologjik, veçanërisht nëse dëgjimi duket i dobësuar ose problemet shfaqen vetëm në një vesh. Për tinitusin, ai sugjeron terapi me tinguj, përmirësim të rutinës së gjumit dhe, në disa raste, ulje të konsumit të kafeinës, e cila mund t’i përkeqësojë simptomat.
Për problemet me ekuilibrin dhe marramendjen, këshillohet hidratim i mirë dhe ndryshime të ngadalta të pozicionit të trupit. Për disa gra, terapia zëvendësuese hormonale (HRT) mund të ndihmojë në stabilizimin e simptomave, gjithmonë pas konsultimit me mjekun.
Informacione të detajuara mbi HRT-në, llojet e saj, efektet anësore dhe alternativat e mundshme janë të disponueshme në faqen zyrtare të NHS-së. /GazetaExpress/