Ekspertët e ushqyerjes paralajmërojnë se jo vetëm ushqimi, por edhe ajo që pimë çdo ditë ka një ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e zorrëve.
Edhe pse ushqime si buka e thartë apo kimchi promovohen si “miqësore për zorrët”, specialistët theksojnë se disa pije – shpesh të konsideruara të shëndetshme – mund të prishin ekuilibrin e mikrobiomës dhe të shkaktojnë fryrje, parehati, lodhje dhe probleme afatgjata shëndetësore.
Sipas nutricionistëve që kanë folur për Daily Mail, mikrobioma e zorrëve – e përbërë nga triliona baktere, viruse dhe kërpudha – ndikohet fuqishëm nga pijet që konsumojmë rregullisht. Kur ky ekuilibër prishet, mund të shfaqen probleme me tretjen dhe, sipas studimeve, rritet rreziku për shtim në peshë, diabet të tipit 2 dhe sëmundje të zemrës.

Ekspertët rendisin disa nga pijet më problematike për shëndetin e zorrëve:
Shot-et e trendeve me lëngje
Të reklamuara si “gut shots”, këto pije janë shpesh të pasura me sheqer të përqendruar, pa fibra dhe shumë acide. Ato mund të irritojnë stomakun, sidomos kur konsumohen esëll, dhe nuk ka prova të forta se përmirësojnë realisht bakteret e mira të zorrëve.
Qumështi i tërshërës (oat milk)
Edhe pse nuk është i dëmshëm në vetvete, shumë versione “barista” përmbajnë vajra, trashës dhe emulgatorë që mund të shqetësojnë tretjen, veçanërisht te personat me zorrë të ndjeshme.
Kafeja e pafiltruar
Kafeja stimulon acidin e stomakut dhe lëvizjen e zorrëve. Për disa kjo është pozitive, por për të tjerë mund të përkeqësojë refluksin, dhimbjet abdominale apo simptomat e zorrës së irrituar.
Pijet ‘diet’ ose pa sheqer
Ëmbëlsuesit artificialë mund të ndryshojnë përbërjen e baktereve të zorrëve te disa persona. Efekti ndryshon nga individi në individ, ndaj këto pije rekomandohen vetëm herë pas here, jo çdo ditë.
Birra dhe lageri
Alkooli është një nga faktorët më të fortë që dëmton shëndetin e zorrëve. Birra kombinon alkoolin, gazin dhe karbohidratet fermentuese, duke rritur fryrjen dhe inflamacionin.
Pijet me sheqer
Pijet e gazuara me sheqer ulin diversitetin bakterial në zorrë dhe favorizojnë bakteret e lidhura me inflamacionin dhe sëmundjet metabolike. Aciditeti dhe gazi përkeqësojnë fryrjen.
Pijet energjike
Kombinimi i kafeinës së lartë, sheqerit ose ëmbëlsuesve, aciditetit dhe aditivëve i bën ato veçanërisht të rënda për sistemin tretës, sidomos kur konsumohen shpesh.
Shaket proteinike
Shumë prej tyre përmbajnë ëmbëlsues artificialë, alkool sheqeri dhe trashës që shkaktojnë gazra dhe diarre. Proteina e hirrës (whey) mund të jetë problem për personat me ndjeshmëri ndaj laktozës.

Çfarë rekomandojnë ekspertët?
Uji, çajrat bimorë, çaji jeshil i lehtë dhe pijet e fermentuara si kefiri apo kombucha konsiderohen zgjedhjet më të sigurta për zorrët. Sipas specialistëve, shëndeti i zorrëve përfiton më shumë nga thjeshtësia, qëndrueshmëria dhe një dietë e pasur me ushqime të plota, sesa nga pijet “funksionale” të modës.
Një pije e gazuar apo një gotë alkool herë pas here nuk do të shkatërrojë një dietë të balancuar, por problemi lind kur këto zgjedhje kthehen në përditshmëri. /GazetaExpress/