Konsumimi i farave chia mund të ndihmojë në mbrojtjen e trurit dhe të trupit nga efektet e dëmshme të ushqimeve ultra të përpunuara, sugjeron një studim i ri shkencor.
Ushqimet ultra të përpunuara (UPF), të pasura zakonisht me yndyra të ngopura dhe sheqerna, janë lidhur me pasoja negative pothuajse në çdo sistem të organizmit. Një raport alarmues i udhëhequr nga revista The Lancet vitin e kaluar tregoi se një person mesatar në Mbretërinë e Bashkuar merr mbi gjysmën e kalorive ditore nga këto ushqime.
Pasojat nuk kufizohen vetëm te zorra dhe metabolizmi, duke rritur obezitetin dhe diabetin e tipit 2. Dietat e pasura me yndyrë dhe sheqer mund të nxisin inflamacion edhe në tru, duke rritur rrezikun për rënie njohëse. Po ashtu, këto ushqime prishin boshtin zorrë–tru, duke çrregulluar sinjalet e ngopjes dhe duke nxitur mbingrënien.
Tani, studiues brazilianë sugjerojnë se farat chia mund të ofrojnë një zgjidhje natyrale.
Këto fara të vogla bardhë e zi janë të pasura me yndyra omega-3 dhe përbëjnë një burim të plotë proteinash, pasi përmbajnë të nëntë aminoacidet thelbësore që i nevojiten trupit. Studime të mëparshme kanë treguar se acidi alfa-linolenik (ALA), një acid yndyror omega-3 i bollshëm në farat chia, ndihmon në uljen e inflamacionit tek personat me sindromë metabolike – një kombinim gjendjesh që përfshin obezitetin dhe tensionin e lartë të gjakut.
Për të testuar nëse farat chia mund të zbusin dëmet e dietës perëndimore, ekspertë nga Universiteti Federal i Viçosës studiuan efektet e miellit dhe vajit të chia-s në trurin e minjve. Për tetë javët e para, shumica e minjve u ushqyen me një dietë të pasur me dhjamë dhe fruktozë, për të imituar zakonet e pashëndetshme ushqimore të njeriut. Një grup kontrolli ndoqi një dietë të shëndetshme standarde.
Më pas, për dhjetë javë, një grup vazhdoi dietën e pashëndetshme, një tjetër e shoqëroi atë me vaj chia, ndërsa grupi i tretë mori miell chia. Në fund, u analizuan mostrat e indeve të trurit.
Rezultatet treguan dallime të qarta mes vajit dhe miellit të chia-s. Minjtë që konsumuan vaj chia shfaqën aktivizim të gjeneve që shtypin urinë, duke sugjeruar se chia mund të rrisë ndjesinë e ngopjes përmes sistemit nervor qendror. Këto gjene prodhojnë proteina si POMC dhe CART, të cilat i sinjalizojnë trupit se ka marrë mjaftueshëm energji.
Ky efekt nuk u vu re tek grupi që konsumoi miell chia, por të dyja format përmirësuan reagimin e trurit ndaj leptinës – hormonit që rregullon urinë. Dietat e pasura me yndyrë zakonisht çojnë në rezistencë ndaj leptinës dhe mbingrënie, por produktet e chia-s ndihmuan në rikthimin e këtij mekanizmi.
Studiuesit e krahasuan këtë efekt me mënyrën se si medikamentet GLP-1, si Ozempic, Wegovy apo Mounjaro, ulin oreksin dhe ndihmojnë në humbjen e peshës.
Përtej kontrollit të oreksit, dieta e pashëndetshme rriti shprehjen e proteinave që nxisin inflamacionin në qeliza, ndërsa chia e zbuti këtë proces, duke mbrojtur qelizat e trurit. Mielli i chia-s u dallua për efekte edhe më mbrojtëse, pasi përbërësit e tij lidhen drejtpërdrejt me receptorët e oreksit në tru.
Megjithatë, studiuesit theksuan një kufizim të rëndësishëm: asnjë nga minjtë nuk humbi peshë. Sipas tyre, kjo mund të lidhet me marrjen shumë të lartë kalorike, ndërsa ndryshimet në sjelljen ushqimore dhe në peshë mund të kërkojnë më shumë kohë për t’u shfaqur.
Dihet prej kohësh se dietat e pasura me yndyrë, kripë dhe sheqer, por të varfra në vitamina dhe fibra, lidhen me rritjen e rrezikut për sëmundje serioze si kanceri, diabeti i tipit 2 dhe sëmundjet e zemrës. Farat chia, sipas këtij studimi, mund të jenë një aleat i thjeshtë dhe natyral kundër këtyre pasojave. /GazetaExpress/